Transmetuar më 08-06-2026, 10:10

PRISHTINË – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se gjatë javëve në vijim do të nisë bisedimet zyrtare me të gjitha subjektet politike në Kosovë për të diskutuar mbi formimin e qeverisë së re. Deklarata u bë gjatë festimeve të organizuara në orët e vona të mbrëmjes në sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë, pas publikimit të rezultateve paraprake të votimit.

Nga fjalimi i mbajtur përpara mbështetësve, Kurti bëri të qartë se konfigurimi i ri parlamentar do të kërkojë bashkëpunim për ndërtimin e kabinetit ekzekutiv.

"Natyrisht se gjatë javëve në vijim do të komunikojmë, do t’i takojmë e do të bashkëpunojmë me të gjitha subjektet politike të Republikës së Kosovës", u shpreh ai, duke konfirmuar hapjen e partise së tij ndaj dialogut politik.

Referuar të dhënave të fundit nga procesi i numërimit, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë sërish mbështetjen më të madhe në votime, me rreth 43.05% të votave. Megjithatë, për shkak të shpërndarjes së re të votës, kjo forcë politike llogaritet të hyjë në parlament me 9 deputetë më pak se në legjislaturën e kaluar.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ruan pozicionin si forcë e dytë me 21.23% të votave, duke shënuar një rritje të lehtë. Ndërkohë, rritjen më të madhe në kampin opozitar e ka regjistruar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), lista e së cilës u drejtua nga Vjosa Osmani. LDK ka siguruar paraprakisht 17.68% të votave, çka sipas projeksioneve të Demokracisë në Veprim (DNV) do t’i sigurojë asaj 20 deputetë në parlament, ose 5 mandate më shumë se në legjislaturën e fundit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit