Transmetuar më 08-06-2026, 10:08

PRISHTINË – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar të dhënat e fundit preliminare nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, ku deri më tani janë numëruar 97% e kutive të votimit. Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë në rang vendi, por regjistron një rënie të ndjeshme të votave krahasuar me procesin e kaluar elektoral.

Rezultatet aktuale dëshmojnë se Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 43.03% të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila mbetet forca e dytë politike me 21.21%. Lidhja Demokratike e Kosovës pozicionohet e treta me 17.68%, duke reflektuar një rritje që pritet t’i sigurojë rreth 20 mandate në Kuvend, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë deri më tani 7.1% të votave.

Në nivel statistikor, krahasuar me zgjedhjet e kaluara parlamentare, Vetëvendosje ka regjistruar një rënie prej 6% në përqindje totale.

Bazuar në rezultatet e deritanishme paraprake, pa përfshirë votat e diasporës, LVV-ja ka siguruar rreth 292 mijë vota. Në procesin e kaluar elektoral, pas numërimit të votave të mërgatës, kjo parti kishte siguruar gjithsej 478 mijë e 77 vota, çka nënkupton se aktualisht ka rreth 189 mijë vota më pak përpara përmbylljes së plotë të procesit.

Kjo ecuri e votës pritet të ndryshojë balancën e mandateve në legjislaturën e re, teksa sytë e partive politike mbeten tashmë te numërimi i votave të diasporës, atyre me postë dhe votave med kusht, të cilat do të përcaktojnë projektimin përfundimtar të stolave në Kuvendin e Kosovës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit