Transmetuar më 08-06-2026, 09:31

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës njoftoi se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë e para me 42.91% të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.08%, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.60%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 7.17% dhe Lista Serbe me 6.17%.

Pas shpalljes së rezultateve, lideri i VV, Albin Kurti, tha se do të komunikojë me të gjitha subjektet politike. Ai apeloi nevojën për bashkëpunim në funksion të “interesit publik dhe vullnetit të përgjithshëm”.

“Pra, llogarisni te ne, jo vetëm në punën që bëjmë, por edhe në bashkëpunimin që do të bëjmë”, tha Kurti para mbështetësve të VV në mitingun e fitores.

Por, edhe pse fitoi për herë të pestë radhazi në shtatë vitet e fundit, ka një rënie të ndjeshme e votave krahasuar me dhjetorin.

Krahasuar me rezultatin e zgjedhjeve të dhjetorit 2025, shumica e partive kryesore politike në Kosovë kanë pësuar rënie të numrit të votave në zgjedhjet e vitit 2026.

Të dhënat tregojnë se pjesëmarrja më e ulët e qytetarëve në votime ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e partive, me përjashtim të disa rasteve të veçanta që kanë shënuar rritje të lehtë.

Rënien më të madhe e ka pësuar Lëvizja Vetëvendosje, e cila nga 433.394 vota të marra në dhjetor 2025 ka zbritur në 297.286 vota në vitin 2026. Diferenca është 136.108 vota më pak, duke përbërë humbjen numerike më të madhe mes të gjitha partive.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka regjistruar rënie të ndjeshme. PDK-ja ka kaluar nga 184.318 vota në 145.873 vota, ose 38.445 vota më pak se në zgjedhjet e mëparshme.

Ndryshe nga dy partitë më të mëdha, Lidhja Demokratike e Kosovës është e vetmja forcë e madhe politike që ka shënuar rritje. LDK-ja ka marrë 121.956 vota, ose 2.755 vota më shumë se rezultati prej 119.201 votash në dhjetor.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbetur pothuajse në të njëjtin nivel elektoral. AAK-ja ka marrë 49.693 vota, vetëm 5 vota më pak se rezultati i saj në zgjedhjet e fundit.

Ndërkohë, Lista Serbe ka regjistruar një rritje të lehtë. Nga 42.235 vota në vitin 2025, ajo ka kaluar në 42.761 vota në vitin 2026, duke fituar 526 vota shtesë.

Analiza e përgjithshme tregon se rënia e votave nuk lidhet domosdoshmërisht me zhvendosje masive të elektoratit nga një parti te tjetra, por më shumë me pjesëmarrjen më të ulët në votime krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit 2025. Kjo shpjegon pse pothuajse të gjitha partitë kryesore kanë humbur vota në terma absolutë, ndërsa vetëm LDK-ja dhe Lista Serbe kanë arritur të regjistrojnë një rritje modeste.

Nëse krahasimi bëhet vetëm mbi bazën e numrit të votave, fituesja më e madhe e procesit rezulton LDK-ja, e cila jo vetëm ka ruajtur elektoratin e saj, por ka shtuar mbi 2.700 vota. Humbëset më të mëdha mbeten Vetëvendosje me mbi 136 mijë vota më pak dhe PDK-ja me mbi 38 mijë vota më pak krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit