Transmetuar më 08-06-2026, 07:45

PRISHTINË – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpallur fitoren e subjektit që drejton në zgjedhjet parlamentare, duke deklaruar se rezultati konfirmon mbështetjen e qytetarëve dhe hap rrugën për vazhdimin e qeverisjes së partisë së tij.

Duke folur para mbështetësve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, Kurti tha se kjo është fitorja e pestë e Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare brenda më pak se shtatë vitesh.

“Tash ka shtet për krejt e ne jemi krejt për shtet. Numri 116 ishte fitues më 28 dhjetor, numri 116 është sërish fitues. Faleminderit që ia keni qit pikën numrit 116”, u shpreh ai.

Sipas Kurtit, rezultati dëshmon se qytetarët vazhdojnë t’i besojnë qeverisjes së Vetëvendosjes.

“Për më pak se shtatë vjet, kjo është fitorja e pestë e LVV-së në zgjedhjet parlamentare. Që së paku kjo dekadë, e unë besoj edhe shumë më shumë, është e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje. Prandaj edhe në këto zgjedhje u dëshmua që të gjithë garojnë, shumica votojnë e ne fitojmë”, deklaroi ai.

Kurti theksoi se prioritet i qeverisjes së tij mbetet interesi publik dhe njoftoi se në javët në vijim do të zhvillohen takime me të gjitha partitë politike.

“Javët në vijim do të takojmë, do të bashkëpunojmë me të gjitha partitë, sepse para së gjithash e mbi të gjitha është interesi publik, vullneti i qytetarëve dhe Republika sovrane të cilës i shërbejmë me devotshmëri. Llogaritni në neve jo vetëm në punën që bëjmë, por edhe në bashkëpunimin që bëjmë”, tha ai.

Gjatë fjalimit, kreu i Vetëvendosjes vlerësoi arritjet e qeverisë dhe tha se qytetarët kanë garanci për vazhdimin e një qeverisjeje të qëndrueshme.

“Ne i bëjmë bashkë edhe punëtorët, edhe ndërmarrjet, edhe infrastrukturën, edhe bujqësinë, edhe kujdesin për nëna e fëmijë, burra e pleq, për djem e vajza. Faleminderit për këtë mbështetje të madhe. Nuk ka vështirësi që nuk e kemi kaluar, edhe atëherë kur është dukur e pamundur, e kemi realizuar”, u shpreh Kurti.

Ai shtoi se institucionet kryesore të vendit janë funksionale, ndërsa vuri theksin te nevoja për konstituimin e Kuvendit.

“Jemi të sigurt që te LVV-ja kemi garancinë e mirëqeverisjes dhe se shteti si Republikë është në duar të sigurta. Unë jam kryeministri juaj, herë kryeministër në detyrë e herë në detyrë si kryeministër. Kosova e ka edhe presidenten, u.d. e presidentes Albulena Haxhiu. Ajo çka i mungon Kosovës nuk është qeveria, as presidenti, por Kuvendi. Blloku opozitar nuk shkon në punë. E ne jemi të interesuar që edhe blloku opozitar të shkojë në punë”, deklaroi ai.

Në fund të fjalimit, Kurti u bëri thirrje qytetarëve që pas festimeve t’i rikthehen angazhimeve të përditshme.

“Sado që festojmë sonte, nesër në ora 8 jemi të gjithë në punë”, tha ai.

Sipas deklaratave të tij, rezultati i këtyre zgjedhjeve përbën një rikonfirmim të mbështetjes për Vetëvendosjen dhe një mandat për vazhdimin e reformave dhe qeverisjes në vitet e ardhshme.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit