

Tiranë, 7 qershor 2026 – Mijëra qytetarë vijuan protestën në kryeqytet edhe në ditën e tetë radhazi, duke marshuar në rrugët e Tiranës dhe duke përsëritur thirrje për ndryshim politik dhe institucional.
“Revolucion”, “Dorëheqje”, “Shqipëri e Re”, “Qeveri teknike” dhe “Anulo projektin” ishin ndër sloganet më të dëgjuara gjatë tubimit, ndërsa protestuesit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj projektit të planifikuar në Zvërnec dhe kërkuan ndryshime në qeverisjen e vendit.
Me pankarta në duar dhe flamuj kuqezi, pjesëmarrësit bënë thirrje për reforma të thella dhe për atë që e cilësuan si nevojë për një ndryshim të sistemit politik. Gjatë marshimit u dëgjuan gjithashtu apelime drejtuar qytetarëve për t’iu bashkuar protestës dhe për të rritur pjesëmarrjen në mobilizimin qytetar.
Sipas organizatorëve, protesta është zhvilluar pa mbështetje apo organizim nga forca politike, duke u paraqitur si një lëvizje qytetare me kërkesa të drejtpërdrejta ndaj institucioneve shtetërore.
Aksioni protestues, i cili nisi si një reagim kundër projektit të Zvërnecit, ka marrë përmasa më të gjera ditët e fundit, me pjesëmarrje në rritje dhe me iniciativa mbështetëse të raportuara edhe nga komunitete shqiptare jashtë vendit.
Organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët në vazhdim, duke bërë thirrje për një angazhim më të gjerë qytetar në mbështetje të kërkesave të tyre.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






