

TIRANË – Protestuesit që kundërshtojnë projektin turistik në Zvërnec dhe politikat e qeverisë kanë mbërritur mbrëmjen e sotme para godinës së Kryeministrisë, pas marshimit të organizuar nga sheshi Sheshi Skënderbej.
Tubimi, që shënon ditën e tetë radhazi të protestave, u shoqërua me thirrje kundër qeverisë dhe me sloganin kryesor të mbrëmjes: “Boll është boll”, i cili u përsërit vazhdimisht nga turma e mbledhur përpara selisë së ekzekutivit.
Gjatë fjalimeve të mbajtura në podium, protestuesit kërkuan ndryshim politik, më shumë transparencë për projektet e debatueshme dhe mbrojtje të zonave të konsideruara me rëndësi mjedisore.
Një prej protestueseve deklaroi:
“Jemi sërish këtu për një qëllim. Gardhi u hoq, të heqim edhe këta! Ka ardhur koha të kthejmë në Shqipëri fëmijët e larguar në emigrim. Boll është boll! Zoti kryeministër, kam një lajm për ty: diaspora këtë herë nuk do të vijë për pushime, por për protestë.”
Protestat nisën fillimisht si reagim ndaj projektit të planifikuar në zonën e Zvërnecit, por gjatë ditëve të fundit ato kanë marrë edhe një dimension më të gjerë politik, me kërkesa që përfshijnë dorëheqjen e qeverisë, ndryshime ligjore dhe rishikimin e politikave të investimeve strategjike.
Ndërkohë, autoritetet nuk kanë raportuar incidente serioze gjatë zhvillimit të marshimit dhe tubimit të mbrëmjes. Situata në qendër të Tiranës vijon të monitorohet nga forcat e rendit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






