

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj protestave kundër projektit në Zvërnec, duke ironizuar kritikët, blogerët dhe komentatorët që, sipas tij, po sulmojnë qeverinë në emër të mbrojtjes së mjedisit.
Gjatë një komunikimi publik, Rama u ndal te simbolika e flamingove, të cilat janë kthyer në simbol të protestave të fundit, duke deklaruar me ironi se “flamingot edhe ngjyrën nuk e kanë rastësisht të PS-së”.
Kryeministri kritikoi gjithashtu disa figura të rrjeteve sociale dhe opinionistë publikë, duke pretenduar se një pjesë e tyre japin leksione për korrupsionin dhe moralin publik, ndërkohë që, sipas tij, nuk kontribuojnë me taksa ose përfitojnë të ardhura të padeklaruara.
“Na e tregojnë korrupsionin blogerët që nuk lënë lek pa mbledhur dhe nuk paguajnë një euro taksë. Disa analistë dhe gazetarë që paguhen me lekë nën dorë u qajnë hallin flamingove,” u shpreh Rama.
Ai shtoi se kritikat ndaj qeverisë dhe Partisë Socialiste duhet të maten me kontributet konkrete që janë dhënë për vendin gjatë viteve të fundit.
Në vijim të deklaratës, Rama tha se Shqipëria është transformuar ndjeshëm krahasuar me periudhën kur socialistët morën drejtimin e vendit, duke theksuar se sot shqiptarët e prezantojnë identitetin e tyre me më shumë krenari në arenën ndërkombëtare.
Deklaratat vijnë në një moment kur protestat kundër projektit turistik në zonën e Zvërnecit kanë vijuar për disa ditë radhazi dhe janë shoqëruar me debate të forta politike dhe publike mbi zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e mjedisit dhe transparencën institucionale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






