Transmetuar më 07-06-2026, 17:06

Partia Demokratike pritet t’i bashkohet në mënyrë jozyrtare protestës së qytetarëve që po zhvillohet prej disa ditësh në Tiranë kundër projektit në Zvërnec dhe çështjeve të tjera të ngritura nga organizatorët.

Sipas mesazheve që po qarkullojnë në grupet e komunikimit të mbështetësve të PD-së, demokratët ftohen të mblidhen sot në orën 18:00 përballë Piramidës, pranë stacionit të autobusit, për t’iu bashkuar tubimit.

Në mesazh, protesta cilësohet si “mbarëkombëtare”, ndërsa mbështetësve u kërkohet të bashkojnë zërin me qytetarët dhe të marrin pjesë në mënyrë masive në shesh. Po ashtu theksohet nevoja për vazhdim të protestave deri në përmbushjen e kërkesave të artikuluara nga organizatorët.

Ky zhvillim vjen pas disa ditësh qëndrimesh të ndara brenda kampit opozitar, ku disa eksponentë të PD-së kishin kritikuar protestën, ndërsa të tjerë kishin shprehur mbështetje për kauzat e ngritura.

Përfshirja jozyrtare e demokratëve shënon hapin e parë të organizuar të strukturave të PD-së në protestat që fillimisht nisën si reagim qytetar ndaj projektit në Zvërnec, por që më pas janë zgjeruar me kërkesa politike dhe thirrje ndaj qeverisë dhe opozitës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit