

Prokuroria e Korçës ka vijuar hetimet për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 4 qershor 2026 në zonën malore të Bodesë, ku mbeti i vrarë efektivi i policisë Enea Mekolli dhe u plagos kolegu i tij Edison Adri, gjatë një operacioni për arrestimin e një të dyshuari për vepra penale në fushën e narkotikëve.
Sipas dosjes hetimore, operacioni u zhvillua nga forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë në bazë të informacioneve operative dhe një kallëzimi të mëparshëm nga një shtetas që pretendonte se ishte dhunuar dhe kanosur nga i dyshuari Violand Braçellari. Ky i fundit, sipas hetimeve, strehohej në një zonë malore ku mbante bagëti dhe dyshohej se posedonte armë zjarri.
Pjesë nga dosja
Më tej, në afërsi të dy stallave me mur tulle të bagëtive është gjendur një bluzë me mëngë të shkurtra, me ngjyrë të bardhë, me dëmtime të shumta në trajtë grisje dhe njolla të kuqërremta si ato të gjakut. Gjithashtu, në vend në distancat e përcaktuara në këqyrje është konstatuar edhe një gëzhojë arme zjarri me karakteristikat e atyre të përshkuara më lartë. Në afërsi të stallës së dytë janë konstatuar edhe 3 gëzhoja arme zjarri, të ngjashme dhe karakteristika si ato më lartë me markeriim këto gëzhoja 539-k. Po aty në afërsi janë konstatuar edhe 3 gëzhoja të tjera arme zjarri, me karakteristika të ngjashme si ato më lartë.
Nga këqyrja në vendin e ngjarjes është konstatuar se kufoma e punonjësit të Policisë Enea Mekolli gjendet rreth 8 metra nga muri i stallës së fundit të bagëtive në tokë dhe nga këqyrja në vend është konstatuar se kishte dëmtime në pjesën e kokës, qafës, në vesh, në pjesën e gjoksit dhe në këmbë.
Të gjitha këto dëmtime janë të ngjashme si ato të shkaktuara nga predhë arme zjarri. Ai paraqitej i veshur me uniformë policie dhe jelek antiplumb, i cili paraqiste një dëmtim në pjesën e gjoksit, si dhe në pjesën e shirit varës tek supat.
Po kështu në trupin e viktimës është gjetur i mbështetur dhe arma automatike që kishte për operacionin, me krëhër me kapacitet 30 fishekë ku brenda tij gjendeshin 29 fishekë dhe një fishek gjendej në folenë e fishekut në automatik, gjë që tregon se ky shtetas nuk ka qëlluar me armë fare. Në vijim, kufoma është transportuar për në morgun e Spitalit Korçë, për këqyrje dhe ekzaminime më të hollësishme. Pas lëvizjes së kufomës, është konstatuar në pjesën që korrespondon me kokën një pellg me ngjyrë të kuqërremtë si ajo e gjakut me diametër 40 cm.
Në vazhdim të këqyrjes është konstatuar se dritarja anësore e stallës së parë gjendej e hapur dhe rrjeta e telit të saj e shqyer dhe e varur në pjesën e jashtme, gjë që tregon se prej aty ka dalë personi. Që nga kjo anë e stallës, në cepin e përparmë të kësaj ane të stallës, në anën anësore të pasme dhe në anën anësore të stallës së dytë që ndodhet pothuajse ngjitur me të dhe në vazhdim të rrugës deri ku është kapur autori janë gjendur disa gëzhoja model 56, kalibri 7.62mm, të cilat sipas këqyrjes kanë pothuajse të gjitha të njëjtat numra markerimi dhe që dyshohet se janë qitur të gjitha nga e njëjta armë. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes në pjesën përpara stallës së parë nga poshtë në sheshin e mbuluar me mbetje të ndryshme si pleh, kashtë dhe mbeturina të tjera, janë gjendur gjithashtu shumë gëzhoja model 56, kalibri 7.62mm, të cilat janë të përqendruara më tepër në anën e majtë të stallës kur e sheh përballë nga jashtë dhe që korrespondon me vendin ku kanë qenë të pozicionuar punonjësit e policisë.
Përpara kësaj stalle dhe pikërisht pothuajse përballë me një derë hyrëse që ka ajo, nga ana e poshtme gjendet një armë automatike me tytë të gjatë model 56, kalibri 7.62mm, me krehër me kapacitet mbajtës 30 fishekë dhe që në brendësi të tij janë gjendur 23 fishekë dhe një fishekë tjetër është gjendur në folenë e fishekut në armë, gjë që tregon se nga kjo armë është kryer qitje, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe që mendohet se i përket punonjësit të policisë të plagosur Edison Adri. Pikërisht në këtë vend është gjetur edhe një këmishë predhe armë zjarri me formë të çrregullt, me ngjyrë metal bakri, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Pak metra më tutje në anën e majtë të stallës kur e sheh përballë nga jashtë në tokë është gjetur një jelek antiplumb tjetër, i cili paraqitej pa dëmtime, por i ndotur masivisht me lëndë të kuqërremtë e ngjashme me gjakun, si dhe një radio dore policie edhe kjo e ndotur me gjak, të cilat i përkasin punonjësit të policisë të plagosur Edison Adri, edhe këto sende janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Në vazhdim të këqyrjes në këtë anë janë gjendur dhe sekuestruar gëzhojat e fishekëve model 56, kalibri 7.62mm të gjendura në sipërfaqen e tokës, të cilat janë sekuestruar të gjitha në cilësinë e provës materiale.
Në pjesën e pasme ana e majtë e stallës së parë dhe para murit të anës së majtë të stallës së dytë janë gjendur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 gëzhoja, ngjyrë metalike bronzi, kalibri 9 mm, me mbishkrim në pjesën fundore GECP 9mm LUGGER, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale në lidhje me ngjarjen.
Në momentin e këqyrjes në anën e majtë kur e sheh përballë nga poshtë në tokë gjenden të vendosur gjithsej 5 armë zjarri me tytë të gjatë, si dhe 5 jelek antiplumb të ndotur me gjak dhe e baltë, të cilat janë armët e punonjësve të policisë që kanë marrë pjesë në këtë operacion dhe të gjitha këto armë dhe jelekët janë sekuestruar për t’ju nënshtruar ekspertimit balistik në lidhje me ngjarjen.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






