Transmetuar më 07-06-2026, 16:46

KORÇË – Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë ka ngritur katër akuza ndaj shtetasit Violand Braçellari dhe ka kërkuar lënien në fuqi të masës së sigurisë “Arrest në burg”, kërkesë e cila është pranuar nga gjykata.

Braçellari dyshohet për vrasjen e efektivit të Policia e Shtetit, Enea Mekolli, plagosjen e një punonjësi tjetër policie, si dhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas njoftimit zyrtar, ndaj tij rëndojnë veprat penale “Vrasja e punonjësve të policisë së shtetit”, “Vrasja e punonjësve të policisë së shtetit e mbetur në tentativë”, si dhe dy akuza për mbajtje dhe prodhim të armëve pa leje, sipas neneve përkatëse të Kodit Penal.

Hetimet kanë nisur pas ngjarjes së ndodhur më 3 qershor 2026 në Malin e Bodesë, gjatë një operacioni policor për kapjen e personit në kërkim, i cili ishte dënuar më parë për trafik narkotikësh.

Sipas dosjes hetimore, operacioni u bazua edhe në një kallëzim të mëparshëm për kanosje dhe dhunë ndaj një bariu që punonte në zonë. Forcat e policisë janë përballur me armë zjarri gjatë ndërhyrjes, ku si pasojë humbi jetën efektivi Enea Mekolli dhe u plagos një tjetër punonjës policie.

Prokuroria thekson se gjatë shkëmbimit të zjarrit, i dyshuari ka vijuar të qëllojë ndaj forcave të rendit edhe pasi ishte i thirrur për t’u dorëzuar, pavarësisht se policia ishte e identifikuar dhe e pajisur me mjete mbrojtëse.

Në përfundim, organi i akuzës vlerëson se përveç veprave penale të lidhura me vrasjen dhe armëmbajtjen pa leje, ekzistojnë dyshime edhe për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” në lidhje me mënyrën e organizimit dhe drejtimit të operacionit policor.

Gjykata ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për të dyshuarin, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit