

PRISHTINË – Dy persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se kanë dëmtuar fletët e votimit gjatë procesit zgjedhor në Prishtinë dhe Drenas.
Sipas autoriteteve, të dyshuarit kanë grisur fletëvotimet në qendrat përkatëse të votimit, duke sjellë hapjen e procedimeve penale për veprën e asgjësimit të dokumentit të votimit.
Të ndaluarit janë shoqëruar në ambientet policore dhe janë vendosur në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet po vijojnë në bashkëpunim me prokurorinë kompetente.
Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, bëri të ditur se deri tani janë regjistruar dy raste të tilla.
“Deri tani në rajonin e Prishtinës janë hapur dy raste për asgjësim të dokumentit të votimit, në Drenas dhe në Prishtinë, ku dyshohet se personat e përfshirë kanë dëmtuar (grisur) fletëvotimet. Personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që veprimet hetimore po kryhen në koordinim me prokurorinë”, deklaroi Ahmeti.
Autoritetet nuk kanë bërë publike identitetet e të ndaluarve, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjeve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






