Transmetuar më 07-06-2026, 15:56

ATHINË – Dy tërmete me magnitudë të konsiderueshme goditën mesditën e së dielës ishullin Evia, duke shkaktuar panik te banorët dhe dëme materiale në disa zona të prekura. Lëkundjet sizmike janë ndjerë edhe në Athinë dhe rajonet përreth.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Gjeodinamik i Greqisë, tërmeti i parë u regjistrua në orën 12:58 me magnitudë 4.8 të shkallës Rihter dhe me një thellësi fokale prej rreth 5 kilometrash.

Vetëm pak minuta më vonë, rajoni u godit nga një tjetër lëkundje më e fortë, me magnitudë 5.2 të shkallës Rihter, me epiqendër pranë zonës së Prokopit, në pjesën veriore të ishullit Evia.

Autoritetet lokale raportuan dëmtime në banesa në zonat e Prokopit dhe Dafnusës, ndërsa në disa segmente rrugore janë konstatuar rrëshqitje dherash dhe gurësh. Deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar.

Kryebashkiaku i Mantudit, Janis Capurniotis, deklaroi se ekipet e emergjencës ndodhen në terren për të vlerësuar situatën dhe për të evidentuar dëmet e shkaktuara nga tërmetet.

Ndërkohë, ekspertët e sizmologjisë kanë bërë thirrje për qetësi. Profesori Kostas Papazachos u shpreh se zona është e njohur për aktivitetin e saj sizmik dhe se aktualisht nuk ka arsye për alarm të menjëhershëm.

Edhe sizmologu Athanasios Ganas theksoi se rajoni është i prirur ndaj tërmeteve me magnitudë deri në 5.5 ballë, por shtoi se është ende herët për të përcaktuar nëse lëkundja e dytë përbën tërmetin kryesor të kësaj serie sizmike.

Sipas mediave greke, dëme janë raportuar edhe në disa objekte kulti, përfshirë kishën e Shën Gjergjit pranë Prokopit, ku në momentin e tërmetit po zhvillohej një ceremoni pagëzimi.

Autoritetet greke vijojnë monitorimin e situatës në terren, ndërsa ekipet teknike po kryejnë verifikimet për vlerësimin e plotë të pasojave të shkaktuara nga lëkundjet sizmike.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit