

BRUKSEL – Rritja e numrit të shtetasve rusë që përfitojnë shtetësinë serbe dhe, përmes saj, akses pa viza në Bashkimin Evropian, përbën një sfidë të mundshme sigurie për bllokun europian. Ky është vlerësimi i bërë nga Komisioni Evropian në raportin më të fundit mbi progresin e Serbisë në fushën e sundimit të ligjit.
Në dokumentin që analizon kapitujt 23 dhe 24 të negociatave të anëtarësimit, Komisioni evidenton se gjatë periudhës së fundit është shënuar një rritje e ndjeshme e numrit të shtetësive serbe të dhëna për qytetarët rusë.
Sipas raportit, megjithëse politika e shtetësisë mbetet kompetencë sovrane e Serbisë, procedurat e përshpejtuara të natyralizimit për shtetasit rusë, të cilët më pas fitojnë të drejtën e udhëtimit pa viza në hapësirën europiane, mund të krijojnë rreziqe të sigurisë për Bashkimin Evropian.
Komisioni Evropian kërkon nga Serbia forcimin e kontrolleve mbi aplikimet për viza, veçanërisht për shtetasit e vendeve që konsiderohen me rrezik të lartë për migracion të parregullt ose çështje të sigurisë.
Shqetësimet e Brukselit vijnë në një kohë kur disa shtete anëtare të BE-së po kërkojnë masa më të ashpra ndaj qytetarëve rusë, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Sipas statistikave europiane, gjatë vitit 2025 janë lëshuar afro 480 mijë viza turistike për shtetas rusë në zonën Shengen, niveli më i lartë që prej nisjes së luftës në Ukrainë në vitin 2022.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ka deklaruar se Beogradi nuk planifikon të vendosë regjim vizash për qytetarët rusë.
Në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, Serbia ka detyrimin që deri në fund të vitit 2026 të harmonizojë më tej politikën e saj të vizave me standardet europiane dhe të vendosë regjim vizash për të paktën tre shtete që aktualisht gëzojnë hyrje pa viza në territorin serb.
Aktualisht, Serbia mban regjim pa viza me 12 vende që nuk përfitojnë të njëjtin status në Bashkimin Evropian, mes tyre Rusia, Bjellorusia, Kina, Turqia dhe Armenia.
Sipas Komisionit Evropian, harmonizimi i plotë i politikës së vizave mbetet një nga kushtet kryesore për avancimin e Serbisë në procesin e integrimit europian. Mosrealizimi i angazhimeve të marra deri në fund të vitit 2026 mund t’i kushtojë vendit humbjen e mbi 27 milionë eurove fonde nga Plani i Rritjes së BE-së për rajonin.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






