

TIRANË – Donald dhe Romeo Veshaj kanë reaguar për herë të parë lidhur me debatin publik që ka shoqëruar projektin turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit, pas kritikave dhe pyetjeve të shumta në rrjetet sociale për mungesën e një qëndrimi të tyre.
Përmes emisionit të tyre “Më lër të mbaroj”, dy vëllezërit kanë shprehur mbështetjen për investimin, duke argumentuar se ai mund të sjellë zhvillim ekonomik dhe përfitime për Vlorën.
Gjatë një bisede me disa qytetarë dhe figura të njohura nga Vlora, ata kanë theksuar se zëri i banorëve lokalë duhet të dëgjohet më shumë në debatin publik.
“Dua që zëri i vlonjatëve të dëgjohet, sepse më është dukur sikur jemi anashkaluar. Flitet në emër të Vlorës, përdoren këngë polifonike, por vlonjatin nuk e ka dëgjuar njeri”, u shpreh Donald Veshaj gjatë emisionit.
Sipas tyre, një pjesë e konsiderueshme e banorëve të zonës mbështesin projektin dhe e shohin atë si një mundësi për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.
Reagimi i vëllezërve Veshaj vjen në një moment kur projekti në Zvërnec ka shkaktuar debat të gjerë publik, me mbështetës që argumentojnë përfitimet ekonomike dhe kundërshtarë që shprehin shqetësime për ndikimin në mjedis dhe zonat e mbrojtura.
Çështja vijon të mbetet në qendër të diskutimeve publike, ndërsa protestat dhe reagimet nga aktivistë, qytetarë dhe figura publike kanë vazhduar edhe gjatë ditëve të fundit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






