

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj kritikëve dhe komentuesve në rrjetet sociale, duke i akuzuar për mungesë argumentesh dhe përdorim të gjuhës fyese në debatin publik.
Përmes një postimi në Facebook, kreu i qeverisë deklaroi se një pjesë e kundërshtarëve të tij nuk arrijnë të ndërtojnë argumente dhe, sipas tij, e zëvendësojnë debatin me sharje dhe sulme verbale.
“Meqë nuk bashkojnë dot katër fjali bashkë për të formuar një koncept, e kompensojnë boshllëkun me fjali bërtitëse, sharje dhe thirrje njërrokëshe”, shkroi Rama.
Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve, ambientalistëve dhe mbrojtësve të natyrës që të ushtrojnë të drejtën e protestës pa u përfshirë në gjuhë fyese, ndërsa shtoi se sulmet ndaj tij personalisht nuk e ndikojnë.
“Merruni me mua sa të doni, se mua vetëm shëndet dhe vullnet më bëhen sharjet dhe mallkimet tuaja”, u shpreh ai.
Në të njëjtin reagim, Rama solli si shembull rajonin e Camargue në Francë, një nga zonat më të njohura ligatinore të Europës, për të argumentuar se mbrojtja e natyrës dhe zhvillimi ekonomik mund të ecin paralelisht.
Sipas tij, modeli francez dëshmon se zonat me biodiversitet të pasur mund të shndërrohen në motorë ekonomikë përmes turizmit të qëndrueshëm, pa cenuar ekosistemin natyror.
“Natyra nuk është domosdoshmërisht kundërshtare e zhvillimit. Në shumë raste, ajo është vetë zhvillimi”, theksoi Rama, duke shtuar se sfida qëndron te krijimi i një modeli ku ekonomia dhe mbrojtja e mjedisit të përfitojnë njëkohësisht.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment kur debati publik mbi projektet turistike, zonat e mbrojtura dhe zhvillimin ekonomik vijon të mbetet në qendër të diskutimeve dhe protestave në vend.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






