

TIRANË – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Sajmir Kolaverin, i ekstraduar së fundmi nga Italia, ku ishte arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë.
Kolaveri ishte shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare për dyshimet e përfshirjes në vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Klevis Lleshit, ngjarje e ndodhur në vitin 2020 në Burrel.
Gjatë seancës gjyqësore, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, i dyshuari ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen për të cilën po hetohet.
Sipas dosjes hetimore, Kolaveri akuzohet për veprat penale “vrasje për gjakmarrje”, “fshehje ose asgjësim kufome”, “grup i strukturuar kriminal”, “kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “organizatë kriminale”.
Prokuroria e Posaçme dyshon se ai ka pasur rol në ekzekutimin e planifikuar të Klevis Lleshit, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e përgjegjësive të secilit prej personave të përfshirë.
Sajmir Kolaveri është familjar i Aurel Hoxhës, i shpallur gjithashtu në kërkim dhe i konsideruar nga hetuesit si një nga personat që dyshohet të ketë organizuar vrasjen e Klevis Lleshit.
Çështja mbetet nën hetim nga SPAK, ndërsa Kolaveri do të vijojë të qëndrojë në paraburgim deri në vendimmarrje të tjera nga organet e drejtësisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






