

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj kritikave dhe protestave që lidhen me “Paketën e Maleve”, duke i cilësuar kundërshtitë ndaj saj si të pabazuara dhe penguese për zhvillimin e vendit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama e ka mbrojtur nismën, duke theksuar se ajo u jep mundësi banorëve të zonave malore dhe emigrantëve të investojnë në pronat e tyre përmes agroturizmit, agropërpunimit dhe fermave.
Sipas tij, paketa synon të zgjidhë pengesa ligjore që, siç u shpreh, kanë kufizuar zhvillimin rural, duke mos lejuar akses në leje ndërtimi, subvencione shtetërore, fonde të BE-së apo kredi bankare për shumë pronarë tokash në zonat malore.
Në reagimin e tij, kryeministri përdori tone të ashpra ndaj kundërshtarëve, duke ironizuar protestat dhe duke iu referuar edhe debatit për zonat e mbrojtura dhe projektet turistike.
Ai solli si shembull modelin e zhvillimit të Alpeve Austriake, duke argumentuar se në vende si Austria, turizmi dhe mbrojtja e natyrës kanë bashkëjetuar përmes një zhvillimi të kontrolluar dhe infrastrukturës turistike, pa dëmtuar peizazhin natyror.
“Pyetja nuk është nëse natyra dhe zhvillimi mund të bashkëjetojnë, por nëse kemi vizionin për t’i bërë aleatë të njëri-tjetrit”, u shpreh Rama, duke shtuar se Shqipëria duhet të ndjekë një model të ngjashëm zhvillimi të qëndrueshëm.
Kryeministri i quajti kundërshtitë ndaj kësaj qasjeje si “budallallëk” që, sipas tij, ka mbajtur vendin peng për dekada dhe theksoi se qeveria do të vijojë me zbatimin e politikave të saj në fushën e turizmit dhe zhvillimit rural.
Reagimi i Ramës:
Po me Paketën e Maleve ç’kanë Flamingot e Bulevardit apo edhe ata që kanë tokat e trashëguara në Shqipërinë malore nuk duhet ta gëzojnë pronën e tyre, duke zhvilluar një agroturizëm, një punishte agropërpunimi, një fermë?! Sot, ata nuk marrin çertifikatë me 7501-shin, se e kanë ndarë mesveti tokën sipas kufijve të vjetër dhe nuk e kanë pranuar asnjëherë 7501-shin, po duke mos pasur çertifikatë s’marrin dot as leje, as subvencione nga shteti, as financime nga fondet e BE-së, as kredi nga bankat.
Ndërsa Paketa e Maleve, e cila është zgjidhje e formësuar në vite që ka mbështetjen e tyre dhe po tërheq mijëra emigrantë për të investuar në tokën e tyre, mbyll boshllëkun ligjor, hap rrugën e futjes së kursimeve të emigrantëve në Shqipërinë malore dhe fut malet në ekonominë tonë përmes zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit. Ah, zonat e mbrojtura, natyra, po, natyra, pemët dhe shqiponjat që do t’i shpëtojë revolucioni imagjinar, duke anulluar Paketën e Maleve
Po Austria? Kur flitet për zhvillimin në zonat e mbrojtura, shpesh krijohet përshtypja sikur zgjedhja është e prerë me thikë: Ose natyrë. Ose zhvillim. Po në fakt, zonat e mbrojtura ndahen me kategori të ndryshme dhe kanë nivele të ndryshme mbrojtjeje, nga kategoria I ku ndërtimi përjashtohet totalisht tek për shembull kategoria V, si në pjesën gadishullore të Zvërnecit, ku qysh nga ligji i 2017-ës është e qartë se mund të ndërtohet me kushte të caktuara.
Alpet Austriake janë ndër peizazhet më të mbrojtura dhe më të qendisura në Europë. Brenda dhe përreth zonave të mbrojtura përgjatë tyre gjenden qindra fshatra alpine, hotele, resorte, teleferikë, qendra skijimi, shtigje turistike dhe infrastrukturë moderne që tërheqin miliona vizitorë çdo vit. Rajone si Tiroli apo destinacione si Kitzbühel janë kthyer kaherë në marka globale të turizmit malor. Megjithatë, askush nuk e thotë dot kurrë se Austria sakrifikoi Alpet për turizmin. Përkundrazi. Austria ndërtoi turizmin për Alpet.
Ata njerëz të mençuar e kuptuan nga të parët se peizazhi nuk ishte pengesë për zhvillimin, po ishte vetë themeli i zhvillimit. Prandaj modeli austriak nuk ishte kurrë: “Mos ndërtoni asgjë.” Por ishte: “Ndërtoni me kujdes. Ndërtoni me cilësi. Ndërtoni aty ku duhet. Mbroni atë që është e pazëvendësueshme.” Sot turizmi gjeneron miliarda euro çdo vit për ekonominë austriake dhe mbështet qindra mijëra vende pune, ndërsa Austria mbetet një nga vendet me standardet më të larta të mbrojtjes së natyrës në Europë. Pyetja nuk është nëse natyra dhe zhvillimi mund të bashkëjetojnë.
Pyetja është nëse kemi vizionin, dijen dhe disiplinën për t’i bërë ata aleatë të njëri-tjetrit, duke rritur qëndrueshmërinë mjedisore të vendit dhe ekonominë shqiptare falë një turizmi cilësor me të ardhura të larta. Sepse kur natyra trajtohet si pasuria më e madhe e një vendi, ajo nuk mbrohet duke e izoluar nga ekonomia, po duke e kthyer në zemrën e ekonomisë. Prandaj, e përsëris: BUDALLALLËKU QË E KA MBAJTUR SHQIPËRINË PENG 100 VJET, S’KA PËR TA NDALUR DOT TË VAZHDOJË RRUGËN E NISUR PËR TA FUTUR KËTË VEND NË LIGËN E KAMPIONËVE TË TURIZMIT BOTËROR.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






