

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj protestave që janë zhvilluar ditët e fundit në disa qytete të vendit, duke i cilësuar pjesëmarrësit në to si një përzierje “delirantësh”, “influencerash” dhe qytetarësh të pakënaqur.
Në podkastin e tij “Flasim”, Rama deklaroi se një pjesë e protestuesve nuk kanë lidhje reale me çështjet që mbrojnë, duke përmendur konkretisht edhe debatin për zonat e mbrojtura dhe projektet e zhvillimit turistik në vend.
“99% e atyre që mbrojnë flamingot nuk i kanë parë kurrë me sy”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se në turmën e protestuesve përfshihen edhe persona që, sipas tij, “jetojnë me ‘like’ dhe nuk paguajnë taksa”.
Ai i ndau protestuesit në disa kategori, duke përmendur nga njëra anë qytetarë të shqetësuar dhe nga ana tjetër persona që i cilësoi si “delirantë” apo të orientuar nga rrjetet sociale.
Rama paralajmëroi gjithashtu se situata e protestave mund të ndikojë në sezonin turistik, duke pretenduar se janë vërejtur shenja të anulimeve të rezervimeve në disa zona bregdetare, përfshirë Sarandën.
Në të njëjtin komunikim, kryeministri mbrojti projektet e qeverisë në fushën e turizmit dhe investimeve strategjike, duke theksuar se ato do të realizohen pavarësisht kundërshtimeve.
“Projekti do të bëhet, sepse është një e mirë e madhe për ekonominë dhe një kapërcim për Shqipërinë turistike”, deklaroi ai.
Deklaratat e Ramës kanë ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa debati mbi projektet në zonat bregdetare dhe ndikimin e tyre në mjedis vijon të mbetet i ndezur.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






