Transmetuar më 07-06-2026, 08:24

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone ironike ndaj protestuesve që një ditë më parë zhvilluan një tubim në zonën e Zvërnecit, duke i akuzuar se, në përpjekje për të mbrojtur mjedisin dhe habitatin e flamingove, kanë shkaktuar vetë dëme në zonën bregdetare.

Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë u bëri thirrje protestuesve që në vizitat e ardhshme të shmangin lëvizjen me automjete pranë habitatit natyror të shpendëve dhe të tregojnë më shumë kujdes për pastërtinë e mjedisit.

“Kur të shkoni herë tjetër në atë breg për t’ua qarë hallin flamingove, mos i bëni për të qarë duke ua zhvirgjëruar plazhin me makinat tuaja”, shkruan Rama, duke shtuar se prania e automjeteve në plazh mund të krijojë shqetësim për shpendët dhe të japë përshtypjen e nisjes së punimeve në zonë.

Kryeministri kujtoi gjithashtu efektet pozitive të moratoriumit 10-vjeçar të gjuetisë, duke theksuar se flamingot ishin larguar më herët nga zona, por janë rikthyer pas masave mbrojtëse të ndërmarra ndër vite.

Në reagimin e tij, Rama kritikoi edhe ndotjen e mundshme të lënë pas nga pjesëmarrësit në protestë, duke përmendur mbetjet e gjetura në zonë, si kanoçet e birrës, dhe u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë mjedisin gjatë aktiviteteve të tyre.

Mesazhin e tij, kreu i qeverisë e mbylli me urimin për një të diel të qetë për të gjithë qytetarët.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit