

TIRANË – Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, ka reaguar lidhur me protestat e zhvilluara nga qytetarët në Bulevard, duke i bërë thirrje qeverisë që të përqendrohet te shqetësimet e ngritura nga protestuesit dhe jo te numri i pjesëmarrësve në tubime.
Përmes një reagimi publik, Meksi vlerëson se Kryeministri Edi Rama i ka kushtuar vëmendje të konsiderueshme përmasave të protestës, mënyrës së pasqyrimit të saj në media, si dhe ndikimit të dezinformimit dhe rrjeteve sociale në formësimin e opinionit publik.
Sipas saj, ndonëse këto janë çështje legjitime për çdo demokraci moderne, reagimi i kreut të qeverisë nuk adreson në mënyrë të mjaftueshme pyetjet që qytetarët po ngrenë lidhur me transparencën, korrupsionin, konsultimin publik, pronësinë, ndikimin në mjedis dhe përfitimet konkrete që sjell investimi i diskutuar.
Meksi thekson se qeveria vazhdon ta trajtojë debatin si një çështje që lidhet me një projekt ende të pakonfirmuar, ndërsa protestuesit kërkojnë informacion, transparencë dhe dialog pikërisht në fazat e hershme të procesit vendimmarrës.
“Pikërisht sepse jemi në fazën e hershme të procesit, kërkojmë transparencë, informacion dhe dialog tani, jo pasi gjithçka të jetë vendosur”, shprehet ajo në reagimin e saj.
Ish-deputetja socialiste argumenton se kjo është periudha kur duhet të zhvillohet një debat i gjerë publik mbi dobinë e investimit, ndikimet afatgjata dhe modelin e zhvillimit që synon Shqipëria. Sipas saj, diskutimi duhet të përfshijë çështje që lidhen me turizmin e qëndrueshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe shpërndarjen e drejtë të përfitimeve nga pasuritë natyrore të vendit.
Në përfundim, Meksi nënvizon se në një sistem demokratik rëndësi nuk ka vetëm numri i qytetarëve që protestojnë, por edhe mesazhi që ata përcjellin. Ajo shton se vazhdimësia e protestave e bën edhe më të domosdoshëm angazhimin e institucioneve për të dëgjuar dhe adresuar shqetësimet e qytetarëve përmes dialogut, transparencës dhe fakteve të verifikueshme.
“Çështja nuk është vetëm sa persona protestojnë, por sa të gatshme janë institucionet.
REAGIMI I MEKSIT A po dëgjohen nga qeveria protestuesit? Reagimi i fundit i Kryeministrit në platformën X i kushton shumë vëmendje madhësisë së protestës, mënyrës se si ajo paraqitet në media, si dhe rolit që mund të luajnë dezinformimi, amplifikimi dixhital dhe rrjetet sociale në formësimin e perceptimeve publike. Këto janë shqetësime legjitime për çdo demokraci moderne. Por reagimi i tij i kushton shumë më pak vëmendje përmbajtjes së pyetjeve që qytetarët po ngrenë lidhur me korrupsionin, transparencën, konsultimin publik, pronësinë, ndikimin mjedisor dhe përfitimet konkrete publike të investimit. Kryeministri vazhdon ta trajtojë çështjen si një debat mbi një projekt që “ende nuk ekziston”. Ndërsa mesazhi që vjen nga protestat duket ndryshe: “Pikërisht sepse jemi në fazën e hershme të procesit, kërkojmë transparencë, informacion dhe dialog tani, jo pasi gjithçka të jetë vendosur.” Në fakt, është kjo fazë kur duhet të zhvillohet debati publik mbi dobinë e investimit, ndikimet e tij afatgjata dhe modelin e zhvillimit që duam për Shqipërinë. Jo vetëm për një projekt të caktuar, por edhe për mënyrën se si e kuptojmë turizmin e qëndrueshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe përfitimin e drejtë të qytetarëve nga pasuritë natyrore të vendit. Në demokraci, më shumë se numri i protestuesve, rëndësi ka mesazhi që ata përpiqen të përcjellin. Sa më gjatë të vazhdojnë protestat, aq më e madhe bëhet nevoja që ai të dëgjohet dhe të adresohet me dialog, transparencë dhe fakte të verifikueshme. Sepse çështja nuk është numri i atyre që protestojnë, numër qē megjithatë nuk duhet neglizhuar,por sa institucionet janë të gatshme të dëgjojnë dhe t’u përgjigjen në kohë shqetësimeve që ata shprehin.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






