

KOSOVË – Për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka angazhuar mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të jenë në terren gjatë gjithë zhvillimit të zgjedhjeve.
Sipas njoftimit zyrtar, prokurorët do të qëndrojnë në gatishmëri në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës deri në përfundimin e procesit zgjedhor, me qëllim identifikimin dhe procedimin e çdo parregullsie apo shkeljeje të mundshme që mund të cenojë votën e qytetarëve.
“Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Njëkohësisht, Prokurori i Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve, subjekteve politike, institucioneve dhe organizatave të ndryshme që të raportojnë pranë prokurorive kompetente çdo rast të dyshuar për keqpërdorim, manipulim apo cenim të procesit të votimit.
Autoritetet theksojnë se çdo denoncim do të trajtohet me prioritet, në funksion të garantimit të një procesi zgjedhor të lirë, të drejtë dhe transparent.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






