

TIRANË – Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar në Zvërnec kundër projektit turistik të planifikuar në zonë, duke pretenduar se në tubim kanë marrë pjesë edhe shtetas serbë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla publikoi një fotografi që, sipas tij, është realizuar gjatë protestës së sotme në Zvërnec. Ai ngriti pikëpyetje mbi praninë e automjeteve me targa serbe dhe të personave që, sipas pretendimit të tij, janë shtetas të Serbia.
“Ja dhe ata që e ‘duan’ më shumë sesa ne Shqipërinë, i sollën protestuesit në Zvërnec. Po këto makinat me targa serbe dhe serbët pse duhet të jenë në protestë për Zvërnecin?”, shkroi Balla.
Në reagimet pasuese ndaj komentuesve, ministri hodhi akuza për një skenar të mundshëm të ashtuquajtur “luftë hibride”, duke sugjeruar se pas protestave mund të fshihen interesa që synojnë destabilizimin e debatit publik.
“Hajde ushtria e paguar nga armiqtë e Shqipërisë turruni tani me komente. Po kur të zbardhet i gjithi ky skenar lufte hibride, çfarë do thoni?”, shkroi ai.
Deklaratat e Ballës vijnë në një moment kur protestat kundër projektit në Zvërnec kanë hyrë në javën e dytë, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit vijojnë të kundërshtojnë zhvillimet e planifikuara në zonën e mbrojtur të Narta.
Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga organizatorët e protestës lidhur me pretendimet e ngritura nga Balla, ndërsa nuk janë publikuar prova të pavarura që të konfirmojnë ose kundërshtojnë këto pretendime.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






