

POGRADEC – Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen prej një jave kundër projektit të planifikuar në zonën e Zvërnec, duke theksuar se situata kërkon vëmendje, analizë dhe reflektim të thellë nga të gjitha palët.
Në një prononcim për mediat nga Pogradec, ministri deklaroi se qeveria po ndjek me kujdes zhvillimet dhe po shqyrton me përgjegjësi shqetësimet e ngritura nga qytetarët dhe grupet e interesit.
“Është një situatë që kërkon vëmendje, analizë dhe reflektim të thellë. Duam të kemi një qasje sa më të mirëmenduar dhe të ekuilibruar në raport me kërkesat e tyre”, u shpreh Gonxhja.
Protestat, të cilat kanë mbledhur qytetarë, aktivistë dhe të rinj në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë, kundërshtojnë zhvillimet e planifikuara në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe kërkojnë rishikimin e projektit.
Sipas ministrit, kauza e protestuesve lidhet kryesisht me mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit, ndërsa institucionet po analizojnë ndikimin e mundshëm të projekteve turistike në zonë dhe po krahasojnë praktika të ngjashme zhvillimi në Shqipëri dhe rajon.
Gonxhja theksoi gjithashtu se protesta është një e drejtë demokratike që duhet respektuar, duke e konsideruar atë si një tregues të funksionimit të lirisë së shprehjes në vend.
“Ne e respektojmë protestën. Duhet të dëgjojmë pjesën serioze dhe thelbësore të shqetësimeve që ngrihen”, deklaroi ai.
Ministri vlerësoi faktin që debati publik po fokusohet te çështjet mjedisore dhe mbrojtja e biodiversitetit, duke e cilësuar këtë si një tregues të ndërgjegjësimit në rritje të shoqërisë për çështjet e interesit publik.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur kundërshtimet ndaj projektit në Zvërnec vijojnë të intensifikohen, ndërsa organizatorët e protestës kanë paralajmëruar vazhdimin e mobilizimit qytetar në mbrojtje të Narta dhe ekosistemit të saj.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






