

TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj sloganit “Rama në burg, Berisha në burg”, i cili është përdorur nga protestues gjatë tubimeve të ndryshme.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha iu përgjigj një pyetjeje lidhur me këtë thirrje, duke theksuar se qytetarët kanë të drejtë të shprehin lirshëm mendimet e tyre.
Megjithatë, ai akuzoi organizatorët e këtyre thirrjeve se veprojnë në interes të qeverisë dhe jo si pjesë e opozitës së vërtetë.
“Qytetarët janë të lirë të shprehin ç’të duan. Ndërsa ata që e dirigjojnë këtë, nuk e meritojnë as t’ua përmend emrin. Janë opozitë e opozitës, janë vegël e qeverisë”, deklaroi Berisha.
Deklarata e kreut të PD-së erdhi pas pyetjes së qytetarit Shkëlzen Kolgjini mbi sloganin që është dëgjuar në disa protesta, ku kërkohet ndëshkimi penal si për kryeministrin Edi Rama, ashtu edhe për vetë Berishën.
Kjo është hera e radhës që lideri demokrat reagon ndaj kritikave që vijnë nga grupime dhe aktivistë të cilët e konsiderojnë klasën politike shqiptare përgjegjëse për situatën në vend, duke kërkuar llogaridhënie nga të gjitha palët politike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






