

TIRANË – Është ekstraduar me sukses nga Italia drejt Shqipërisë shtetasi Sajmir Kolaveri, 44 vjeç, i njohur ndryshe si "skenaristi i atentateve". Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Posaçme (GjKKO) pas një hetimi intensiv të ndërmarrë nga SPAK, i cili e lidh atë drejtpërdrejt me sagën e përgjakshme të gjakmarrjes mes fiseve Lleshi dhe Hoxha.
Finalizimi i procedurave të ekstradimit erdhi pas bashkëpunimit të suksesshëm mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”.
Akuzat e SPAK: Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe vrasje për gjakmarrje
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me një vendim të datës 25 shtator 2025, kishte caktuar ndaj Kolaverit masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë.
Mbi 44-vjeçarin rëndojnë një sërë akuzash të rënda:
“Vrasja për gjakmarrje” (e kryer në bashkëpunim)
“Fshehja ose asgjësimi i kufomës”
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve e municioneve luftonjëse”
“Grupi i strukturuar kriminal”
Sipas dosjes hetimore, dyshohet se më datë 5 gusht 2020, Sajmir Kolaveri ka bashkëpunuar me anëtarë të tjerë të grupit për eliminimin fizik të të riut Klevis Lleshi. Pasi është kryer ekzekutimi, ata kanë transportuar dhe groposur trupin e viktimës në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit, me qëllim humbjen e gjurmëve.
Rol kyç si ndërmjetës mes porositësit dhe ekzekutorit
Hetimet e fundit të Prokurorisë së Posaçme kanë zbardhur skemën dhe rolin e Kolaverit në këtë atentat. Ai dyshohet se ka shërbyer si ndërmjetësues dhe urë lidhëse mes shtetasit Aurel Hoxha (i cili ka porositur vrasjen kundrejt një shpërblimi prej 50 mijë eurosh) dhe shtetasit Sabah Nuzi, ky i fundit në rolin e ekzekutorit të planit.
Nga inskenimet me tritol për azil, te përballja me drejtësinë
Përveç përfshirjes në krimet e rënda të gjakmarrjes, Sajmir Kolaveri njihet nga drejtësia edhe për saqime skenarësh të denjë për filma aksion.
Gjatë një procesi gjyqësor të mëparshëm, ekzekutuesi i një shpërthimi me tritol, Vilson Brahaj, dëshmoi përpara togave të zeza se Kolaveri i kishte premtuar 5 mijë euro për t’i vënë eksplozivin një banese. Kolaveri e kishte gënjyer ekzekutorin duke i thënë se shtëpia ishte në pronësi të tij dhe se po e bënte këtë inskenim të sulmit me qëllim që të siguronte dokumentet për të kërkuar azil politik jashtë Shqipërisë.
Tashmë, pas arrestimit nga autoritetet italiane dhe sjelljes në atdhe, 44-vjeçari do të ulet në bankën e të akuzuarve në GjKKO për t’u përballur me provat e SPAK-ut mbi krimet e kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Saimir Kolaveri
Interpol Tirana
Ekstradohet nga Italia, pjesëtari i një grupi kriminal. Ai akuzohet nga GjKKO-ja, se ka bashkëpunuar me pjesëtarë të grupit, për vrasjen e një shtetasi, më datë 05.08.2020, për gjakmarrje, dhe për fshehjen e kufomës, në Mamurras.
Në vijim të bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, në kuadër të operacionit “The Wanted”, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Italia, të shtetasit:
-Sajmir Kolaveri., 44 vjeç.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 25.09.2025, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të kryera në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal" dhe "Kryerja e veprave penale nga organizatë kriminale dhe grup i strukturuar kriminal".
Nga hetimet dyshohet se më datë 05.08.2020, shtetasi S. K. ka bashkëpunuar me pjesëtarë të grupit, për vrasjen e shtetasit K. Ll., dhe më pas për transportimin dhe varrosjen e kufomës, në fshatin Shpërdhet, Mamurras.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






