Transmetuar më 06-06-2026, 09:10

LEZHË – Detaje të reja dhe tronditëse kanë dalë në dritë nga shpërthimi me lëndë plasëse që tronditi fshatin Rrilë në Lezhë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ngjarja ka ndodhur saktësisht rreth orës 03:10, kur një sasi e konsiderueshme eksplozivi është aktivizuar në një banesë dykatëshe.

Nga ky shpërthim i fuqishëm, vila ka pësuar dëmtime të rënda strukturore në dyer dhe dritare. Si pasojë e valës goditëse, edhe një automjet që ndodhej i parkuar në oborrin e shtëpisë është dëmtuar plotësisht. Në momentin e shpërthimit, brenda në banesë ndodhej çifti i bashkëshorteve të cilët kanë qenë në gjumë dhe, fatmirësisht, kanë arritur të dalin jashtë pa lëndime fizike.

Dëshmia e kryefamiljarit: "Nuk dimë kujt t’ia drejtojmë gishtin"

Kryefamiljari Mirash Ndue Mirashi, ende në gjendje shoku dhe i traumatizuar nga ngjarja, ka rrëfyer momentet e panikut për mediat. Ai ka theksuar se nuk ka asnjë problem apo konflikt me askënd dhe nuk di kujt t’ia atribuojë këtë sulm.

"Zhurma ka qenë mjaft e madhe, një tmerr i vërtetë. Dëmet në banesë janë shumë të konsiderueshme. Ne nuk kemi konflikte me askënd dhe nuk dimë kujt t’ia drejtojmë gishtin për këtë që na ndodhi. Kërkojmë urgjentisht nga organet kompetente zbardhjen e plotë të ngjarjes", u shpreh Mirashi.

Banorët në alarm: Shpërthimet po kthehen në fenomen në Rrilë

Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh që regjistrohet në të njëjtën zonë. Kujtojmë se vetëm pak kohë më parë, një tjetër sasi lënde shpërthyese u vendos në portën hyrëse të vilës së familjes Çungu, duke shkaktuar gjithashtu dëme të mëdha materiale, por pa pasoja në njerëz.

Seria e sulmeve me eksploziv ka përhapur panik të madh te pjesa tjetër e komunitetit. Banorët e fshatit Rrilë shprehen mjaft të shqetësuar se këto ngjarje po kthehen në një fenomen të zakonshëm dhe të rrezikshëm për jetën e tyre, ndërsa bëjnë thirrje për prezencë më të madhe të forcave të rendit dhe masa të rrepta sigurie.

Lezhë/Informacion paraprak

Rreth orës 03:35, në fshatin Rrilë, Lezhë, në portën e jashtme të banesës në pronësi të shtetasit M. M., ka shpërthyer lëndë plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit