

TIRANË – Një ngjarje e rëndë dhe e pazakontë ka ndodhur në rrethrrotullimin pranë Kthesës së Kamzës në kryeqytet, ku një efektiv i Policisë Rrugore është sulmuar befasisht me thikë në fyt gjatë kryerjes së detyrës. Autori i dyshuar i këtij sulmi është identifikuar si shtetasi Dorian Kasa.
Pamjet e bëra publike në rrjetet sociale tregojnë momentin dramatik kur efektivi Loren Rama, i cili po menaxhonte trafikun përpara një spitali privat, sulmohet fizikisht. Pas një përleshjeje që zgjat disa sekonda, polici dhe agresori rrëzohen në mes të rrugës, në sy të qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve.
Dëshmia e efektivit: "Më vendosi thikën në qafë, reagova menjëherë"
Efektivi i Policisë Rrugore, Loren Rama, ka rrëfyer momentet e tmerrit, duke theksuar se gjithçka ndodhi në mënyrë të papritur dhe se nuk kishte pasur asnjë njohje të mëparshme me autorin.
"Për një moment nuk e kuptova se kush ishte ky person pasi nuk e njihja. Kur e pashë që më vendosi thikën në qafë, reagova menjëherë dhe e kapa me të dyja duart", mësohet të ketë deklaruar efektivi i lënduar.
Dinamika e ngjarjes sipas Policisë së Shtetit
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Shtetit, incidenti i rëndë u regjistrua rreth orës 08:00 të mëngjesit të së premtes. Autori Dorian Kasa i është afruar efektivit dhe, përveç kërcënimit me thikë në fyt, ka tentuar t’i rrëmbejë edhe armën e shërbimit.
Grupi hetimor ka nisur menjëherë punën në terren dhe po kryen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të motiveve të këtij sulmi ndaj uniformave të kaltra. Detaje të tjera pritet të bëhen me dije nga autoritetet në orët në vijim.
(Më poshtë gjeni videon e publikuar nga JOQ, ku pasqyrohet momenti i përleshjes)
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






