

Qytetarët dhe aktivistët që prej ditësh po protestojnë kundër projektit të investimit në Zvërnec kanë njoftuar zhvillimin e dy protestave të reja gjatë ditës së nesërme, një në Zvërnec dhe një tjetër në Tiranë.
Sipas organizatorëve, protesta e parë do të mbahet në orën 10:00 në Zvërnec, ndërsa në orën 18:00 qytetarët do të mblidhen sërish në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Gjatë tubimit të zhvilluar para Kryeministrisë, një prej pjesëmarrëseve hodhi poshtë pretendimet për përçarje brenda protestës, duke theksuar se qëllimi dhe kërkesat e protestuesve mbeten të pandryshuara.
“Nesër në Zvërnec do të ketë protestë në orën 10:00, ndërsa pasdite, në orën 18:00, do të mblidhemi sërish në bulevard në Tiranë. Do të thonë se ka përçarje, por ne nuk jemi të përçarë. Kemi një kërkesë: Rama ik! Një protestë që nisi nga indinjata kur sheh se shteti është i pafuqishëm përballë kriminelit që tërheq zvarrë qytetarin, është shndërruar në një protestë që kërkon një Shqipëri më të mirë”, u shpreh ajo.
Protestuesit kanë deklaruar se mobilizimi do të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa kundërshtojnë projektin e investimit në Zvërnec dhe kërkojnë ndryshime në politikat që lidhen me zonat e mbrojtura dhe qeverisjen e vendit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






