

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një bashkëbisedim me banorë të Zvërnecit dhe foli me ta edhe mbi protestat që në Tiranë janë në ditën e gjashtë, ndërsa po zgjerohen në rrethe dhe në disa qytete evropiane e më gjerë.
Duke u ndalur te protestat ai paralajmëroi se jo pesë mijë banorë por edhe 500 mijë të dalin në shesh nuk mjaftojnë, pasi më shumë se 800 mijë persona e kanë votuar atë dhe Partinë Socialiste.
“Jo 5 mijë veta, por 500 mijë të dalin në shesh, nuk mjaftojnë, janë 800 e ca kusur mijë që kanë bërë marrëveshje me mua dhe PS", tha Rama dhe shtoi:
"Këta që kanë dalë të protestojnë i duan pagat si në Amerikë mbase. I duan si në Manhatan. Nuk e di çfarë duan këta. Pagat në sistemin e turizmit tonë janë si në Greqi, ose më shumë se në Greqi. Këtu nuk është: ‘Sa të të jap?’. Këtu është: ‘Hajde të punosh’".
Më tej ai foli për udhëtimin që pati në Malin e Zi:
"Ky investim nuk doli sot papritur. Unë e kam thënë në fushatë. Unë isha në Tivat, erdha direkt nga Tivati këtu… Tivati ishte vendi më i pazhvilluar në Mal të Zi, nuk shkonin turistë se ishte bazë ushtarake”, tha Rama.
“Nuk kam idenë fare se çfarë marrëveshje kanë bërë pronarët e pronës me investitorët. Nëse ju ktheheni në kohë kur ka dalë për herë të parë shfaqja e interesit të familjes së Presidendit të SHBA-së për Sazanin dhe Zvërnecin, unë e kam thënë shumë qartë që në atë kohë se Sazani është një çështje e qeverisë shqiptare, ndërsa pjesa përballë Sazanit është një çështje private, pronarësh privatë. Pronarët privatë merren vesh privatisht”, nënvizoi më tej Rama.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






