Transmetuar më 05-06-2026, 18:47

Protesta kundër projektit të investimit në Zvërnec ka hyrë në ditën e saj të gjashtë, ndërsa qytetarë dhe aktivistë u mblodhën edhe këtë të diel përpara Kryeministrisë për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj nismës së qeverisë.

Pjesëmarrësit në tubim mbanin flamuj kombëtarë, flamuj me mbishkrimin “Autoktonë”, si dhe pankarta me mesazhe kritike dhe ironike drejtuar institucioneve. Gjatë protestës u ndezën edhe flakadanë, ndërsa protestuesit përsëritën thirrjet kundër projektit që parashikohet të zbatohet në zonën e Zvërnecit.

Tubimi u zhvillua në të njëjtën kohë me takimin që Kryeministri Edi Rama po mbante me banorët e Zvërnecit në Pallatin e Kulturës në Vlorë, ku po diskutohej mbi investimin e planifikuar dhe shqetësimet e ngritura nga komuniteti lokal.

Organizatorët e protestës kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore drejtuar qeverisë, duke deklaruar se nuk pranojnë dialog me Kryeministrin Rama, por kërkojnë largimin e tij. Një tjetër kërkesë e tyre është anulimi i projektit të investimit në Zvërnec, si dhe shfuqizimi i ndryshimeve të fundit ligjore të miratuara për ligjin e zonave të mbrojtura.

Në përfundim të tubimit, organizatorët njoftuan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa u bënë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen mobilizimit në sheshin përpara Kryeministrisë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit