

Një banor i Zvërnec i është drejtuar kryeministrit Edi Rama gjatë takimit të zhvilluar me komunitetin lokal, duke shprehur shqetësimin për një deklaratë të mëparshme të kreut të qeverisë lidhur me statusin e pronave në zonë.
Qytetari tha se prej 35 vitesh familja e tij ndodhet në procese gjyqësore për pronën që pretendon si të trashëguar dhe se një deklaratë e Ramës, sipas së cilës prona ishte “e trashëguar dembabadem”, e kishte shqetësuar dhe lënduar.
“Unë jam në gjyq për pronën pasnesër. Ju thatë para një jave që ajo pronë është e trashëguar dembabadem, ajo më vrau. U duk sikur çfarë të pres unë tani nga gjykata. Kam të drejtë mbi atë pronë apo jo, do e vendosë gjykata. Më kanë sorollatur 35 vite. Për 25 vite luftoi im atë derisa vdiq”, u shpreh banori.
Ai shtoi se fakti që familja e tij ka ndjekur rrugët ligjore dhe jo konfliktin nuk duhet të interpretohet si mungesë zëri apo të drejtash.
Në përgjigjen e tij, Rama sqaroi se deklarata e tij nuk kishte për qëllim të paragjykonte vendimmarrjen e gjykatës dhe kërkoi ndjesë nëse ishte keqkuptuar.
“Jo, nuk është e vërtetë. Unë kam thënë që prona është kthyer brez pas brezi, është kthyer shumë vite më parë dhe jo nga qeveria jonë. Pronat e kthyera janë prona të trashëguara, kështu funksionon ligji. A ka prona që janë kthyer gabimisht? Ka plot, por këtë nuk e vendos unë, e vendos vetëm gjykata. Ndjesë nëse je ndjerë i lënduar, por nuk më ke kuptuar”, deklaroi kryeministri.
Takimi u zhvillua në një klimë debati mbi projektin turistik që po planifikohet në zonën e Zvërnecit, ndërsa çështjet e pronësisë, zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit mbeten në qendër të diskutimeve mes banorëve dhe institucioneve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






