

Kreu i Partia e Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar ashpër gjatë seancës gjyqësore ku po shqyrtohen akuzat e ngritura ndaj tij nga SPAK.
Pas parashtrimit të disa prej episodeve hetimore nga prokurori Sotir Kllapi, Meta deklaroi se ndihej i revoltuar dhe i shokuar nga sa u paraqit në sallën e gjyqit, duke akuzuar organin e akuzës për fshehje informacioni dhe përpjekje për politizimin e procesit.
Duke iu referuar hetimeve për kontratën me kompaninë McKeon Group, Meta tha se e vetmja pagesë e kryer ka qenë 15 mijë dollarë, e miratuar me vendim të kryesisë së partisë dhe e realizuar në mënyrë transparente përmes sistemit bankar.
Sipas tij, autoritetet amerikane kanë kthyer përgjigje përmes letërporosive lidhur me këtë çështje, por këto informacione nuk janë bërë të ditura në kohën e duhur nga prokuroria.
“Jam shumë i revoltuar. Që në fillim kam deklaruar se ka pasur vetëm një pagesë prej 15 mijë dollarësh. Pasi kishte ardhur përgjigjja përfundimtare nga SHBA, mua më pyetët sërish për këtë çështje. Këto të dhëna janë mbajtur të fshehura”, deklaroi Meta para gjykatës.
Ish-presidenti kundërshtoi gjithashtu pretendimet që lidhen me marrëveshjen mes ish-LSI dhe kompanisë GSIS, duke theksuar se nuk ekziston asnjë nënshkrim i tij në atë kontratë.
Në deklaratën e tij, Meta komentoi edhe çështjen e njohur si CEZ-DIA, duke akuzuar prokurorinë se ka fshehur prova dhe dëshmi që, sipas tij, kanë rëndësi për zbardhjen e së vërtetës.
Ai përmendi dëshminë e dhënë nga Hajsek në vitin 2011, duke pretenduar se ajo nuk është marrë në konsideratë nga hetuesit.
Në fund të fjalës së tij, Meta mbrojti ish-bashkëshorten dhe deputeten Monika Kryemadhi, duke deklaruar se ajo nuk duhet të mbajë përgjegjësi për çështjen CEZ-DIA.
“Unë jam këtu për të mbajtur përgjegjësi për çdo veprim timin individual. Zonja Kryemadhi nuk ka pse të mbajë përgjegjësi për CEZ-DIA”, u shpreh Meta.
Seanca gjyqësore vijon mes kundërshtimeve të mbrojtjes dhe pretendimeve të organit të akuzës, ndërsa procesi mbetet një nga çështjet më të ndjekura të drejtësisë shqiptare.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






