

Policia e Shtetit ka dhënë detaje zyrtare për ngjarjen e rëndë të regjistruar mëngjesin e së premtes në zonën e Kthesa e Kamzës, ku një efektiv i Policisë Rrugore u sulmua me thikë gjatë ushtrimit të detyrës.
Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari, Dorian Kaso, dyshohet se tentoi të vriste punonjësin e policisë dhe t’i merrte armën e shërbimit, ndërsa ky i fundit po menaxhonte trafikun pranë zonës së Casa Italia.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:20, kur 38-vjeçari iu afrua efektivit nga pas dhe i vendosi një thikë në fyt. Sipas policisë, ai tentoi gjithashtu t’i merrte armën e shërbimit, por u neutralizua menjëherë dhe u vu në pranga nga forcat policore.
Efektivi i Policisë Rrugore, Loren Rama, ka përshkruar momentet e sulmit në dëshminë e tij.
“Për një moment nuk po e kuptoja se kush ishte ky person, pasi nuk e njihja fare. Kur e pashë që më vendosi thikën në qafë, reagova menjëherë dhe e kapa me të dyja duart”, mësohet të ketë deklaruar ai.
Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit arrestuan në flagrancë 38-vjeçarin për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjatë ndërhyrjes u sekuestrua edhe mjeti prerës, thika e dyshuar e përdorur në sulm.
Autoritetet bëjnë me dije se materialet procedurale i janë referuar Prokuroria e Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Njoftimi i Policisë
Tentoi të godiste me mjet prerës dhe t’i merrte armën e shërbimit një punonjësi të Policisë Rrugore në krye të detyrës, neutralizohet dhe vihet në pranga menjeherë autori.
Sekuestrohet mjeti prerës (thikë).
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasin D. K., 38 vjeç.
Më datë 05.06.2026, rreth orës 08:20, në afërsi të kthesës së Kamzës, 38-vjeçari në mënyrë të menjëhershme i ka vënë në fyt, mjetin prerës (thikë) që kishte me vete, një punonjësi të Policisë që ishte në krye të detyrës, duke menaxhuar trafikun rrugor.
Gjithashtu, 38-vjeçari ka tentuar t’i marrë efektivit, armën e shërbimit, por është neutralizuar dhe vënë menjëherë në pranga nga shërbimet e Policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






