Transmetuar më 05-06-2026, 16:01

Deputeti socialist i Vlorës, Pirro Vengu, ka mbajtur një qëndrim të ndryshëm nga shumica e përfaqësuesve të partisë së tij lidhur me protestat kundër projektit turistik në Zvërnec, duke i cilësuar ato si legjitime dhe të denja për t’u dëgjuar.

I ftuar në Vizion Plus, Vengu tha se debati i hapur mbi të ardhmen e zonës, mbrojtjen e mjedisit dhe modelin e zhvillimit përfaqëson një shenjë të një demokracie më të pjekur në vend.

“Çështja e vërtetë është se kemi të bëjmë me një protestë të denjë. Dikur do ta quanim europiane, sot mund ta quajmë një normalitet të ri në vendin tonë. Debati për mënyrën si zhvillohemi, si mbrojmë identitetin dhe ekosistemin, apo si sigurojmë zhvillim afatgjatë, tregon një farë shëndoshjeje të demokracisë sonë”, deklaroi ai.

Sipas deputetit socialist, diskutimi publik është fokusuar kryesisht te ndërtimi i një resorti turistik, ndërsa thelbi i debatit duhet të jetë modeli i zhvillimit të një pasurie me rëndësi kombëtare dhe ndikimi që ai do të ketë te komuniteti lokal.

“Ne nuk po flasim vetëm për një resort, po flasim për modelin e zhvillimit në një aset kombëtar. Banorët e zonës e duan zhvillimin. Ata jetojnë aty prej dekadash, madje prej shekujsh, dhe duan begati për fëmijët e tyre. Duan që çdo zhvillim të jetë i ligjshëm, por bien dakord se zona duhet të zhvillohet”, u shpreh Vengu.

Deputeti ngriti gjithashtu shqetësime për gjendjen e ekosistemit në zonë, duke theksuar se diskutimet publike nuk duhet të kufizohen vetëm te projektet e reja, por edhe te problematikat ekzistuese që prekin mjedisin.

Ai përmendi nevojën për rehabilitimin e Laguna e Nartës, si dhe ndikimin e aluvioneve dhe kanaleve të kullimit në ekosistemin e saj, çështje që sipas tij marrin më pak vëmendje sesa debatet politike rreth zhvillimit të zonës.

Duke komentuar edhe rrethimin me tela të territorit ku po zhvillohen punimet, Vengu e cilësoi veprimin si të gabuar dhe simbolikisht problematik.

“Rrethimi me tela është një feudalizëm moral i pashpjegueshëm”, deklaroi ai, duke iu referuar tensioneve dhe incidenteve të raportuara gjatë ditëve të fundit në zonë.

Sipas Vengut, rasti i Zvërnecit duhet të shërbejë si një mundësi për një debat më të gjerë mbi mënyrën se si Shqipëria synon të zhvillojë asetet e saj natyrore, duke gjetur një ekuilibër mes mbrojtjes së mjedisit, respektimit të ligjit dhe mirëqenies së komuniteteve lokale.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit