

Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për dy punonjës të kompanisë së sigurisë private Major Security, Artur Grami dhe Gazmend Vathi, të akuzuar për ushtrim dhune ndaj protestuesve gjatë tubimit të zhvilluar në zonën e Zvërnec.
Sipas vendimit të gjykatës, dy të dyshuarit do të qëndrojnë në paraburgim ndërsa vijojnë hetimet për ngjarjen që shkaktoi reagime të shumta publike. Më herët, në kuadër të të njëjtit hetim, ishte lënë në burg edhe Geraldo Biba, i dyshuar për dhunimin e një protestuesi.
Ngjarja lidhet me protestën e zhvilluar disa ditë më parë në Zvërnec, ku banorë të zonës, aktivistë mjedisorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kundërshtuan një projekt turistik që po ndërtohet pranë Laguna e Nartës. Protestuesit pretendojnë se punimet rrezikojnë ekosistemin dhe vlerat natyrore të zonës së mbrojtur.
Gjatë protestës u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë private të angazhuar për ruajtjen e kantierit. Pamjet e publikuara në media treguan momente tensioni, ku disa roje private të maskuara dyshohet se përdorën spraj me piper dhe forcë fizike ndaj protestuesve.
Një nga incidentet më të diskutuara ishte ai i tërheqjes zvarrë të një protestuesi nga punonjësit e sigurisë, ndërsa raportohet se një grua humbi ndjenjat gjatë përplasjes. Pas publikimit të pamjeve dhe reagimeve të opinionit publik, autoritetet nisën hetimet që çuan në arrestimin e të dyshuarve.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






