Transmetuar më 05-06-2026, 15:20

TIVAR – Në prag të nisjes së Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Mal të Zi, Gjermania dhe Franca kanë paraqitur një dokument joformal (non-paper), ku propozojnë një strategji të re për integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë në programet dhe politikat e Bashkimit Evropian.

Dokumenti franko-gjerman, i hartuar nga kabinetet e kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, synon të përshpejtojë integrimin e vendeve kandidate duke u dhënë një shtysë të re reformave të brendshme përpara anëtarësimit me të drejta të plota.

Fokusimi te gjeopolitika dhe pavarësia evropiane

Në deklaratën e tij pas mbërritjes në ambientet e samitit në Tivar, presidenti francez Emmanuel Macron konfirmoi se propozimi i përbashkët do të jetë pjesë qendrore e diskutimeve me liderët e rajonit.

Macron vuri theksin te rëndësia strategjike e kësaj nisme, duke u shprehur: “Tani do të zhvillojmë bisedime me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për këtë çështje. Kjo është qartazi një nga lidhjet tona kryesore, së bashku me perspektivën e zgjerimit, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme edhe nga këndvështrimi gjeopolitik”.

Sipas kreut të shtetit francez, afrimi i shpejtë i rajonit me BE-në garanton pavarësinë evropiane në sektorë kyç si energjia, siguria dhe menaxhimi i përbashkët i rrugëve migratore.

Nisma e dytë e Berlinit brenda pak muajsh

Ky propozim shënon nismën e dytë të kancelarit gjerman Friedrich Merz brenda një kohe të shkurtër, pas propozimeve të tij të muajit maj për "zgjidhje kreative" në politikën e zgjerimit të bllokut.

Ky dokument shihet si një përpjekje e Berlinit dhe Parisit zyrtar për të testuar qëndrimet e shteteve anëtare dhe vendeve kandidate, pa krijuar detyrime formale juridike në këtë fazë të bisedimeve diplomatike.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit