

LUSHNJË – Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të premteje në autostradën Lushnjë–Fier, pranë vendit të njohur si “Pushimi i Shoferit”, ku kanë mbetur të plagosur dy persona.
Sipas të dhënave paraprake nga vendngjarja, një motoçikletë në të cilën udhëtonte një çift bashkëshortësh është përplasur me një automjet të tipit “Range Rover”.
Aksidenti dyshohet se ka ndodhur në momentin kur të dyja mjetet po kryenin një manovër parakalimi ndaj një mjeti bujqësor që lëvizte në të njëjtin aks rrugor.
Si pasojë e goditjes, dy bashkëshortët që udhëtonin me motoçikletë kanë pësuar lëndime fizike. Ata janë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Lushnjës, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve duke marrë trajtimin e nevojshëm shëndetësor.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur punën për kryerjen e ekspertizës autoteknike, zbardhjen e plotë të dinamikës së kësaj përplasjeje dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






