

TIRANË – Një incident i rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të premtjeje në Tiranë, ku punonjësi i policisë, Loren Rama, është sulmuar me thikë gjatë kryerjes së detyrës pranë zonës së "Casa Italia".
Sipas raportimeve të para, autori i dyshuar i ngjarjes, shtetasi Dorian Kaso, i është afruar efektivit nga pas dhe i ka vendosur një mjet prerës (thikë) në qafë.
Pavarësisht rrethanave të rrezikshme, efektivi Rama ka reaguar me shpejtësi duke arritur ta neutralizojë agresorin në vendngjarje. Autori është prangosur dhe është shoqëruar menjëherë në ambientet e komisariatit për veprime të mëtejshme procedurale.
Çfarë tha policia e Tiranës
Tentoi të godiste me mjet prerës dhe t’i merrte armën e shërbimit një punonjësi të Policisë Rrugore në krye të detyrës, neutralizohet dhe vihet në pranga menjeherë autori.
Sekuestrohet mjeti prerës (thikë).
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasin D. K., 38 vjeç.
Më datë 05.06.2026, rreth orës 08:20, në afërsi të kthesës së Kamzës, 38-vjeçari në mënyrë të menjëhershme i ka vënë në fyt, mjetin prerës (thikë) që kishte me vete, një punonjësi të Policisë që ishte në krye të detyrës, duke menaxhuar trafikun rrugor.
Gjithashtu, 38-vjeçari ka tentuar t’i marrë efektivit, armën e shërbimit, por është neutralizuar dhe vënë menjëherë në pranga nga shërbimet e Policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






