Transmetuar më 05-06-2026, 13:03

TIRANË – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar dy kërkesat e paraqitura nga ish-presidenti Ilir Meta, i cili kërkoi transmetimin e drejtpërdrejtë të procesit në media dhe nxjerrjen e tij nga kafazi i qelqtë i sallës së gjyqit. Pas këtij vendimi, trupi gjykues urdhëroi fikjen e kamerave dhe vijimin e seancës me dyer të mbyllura.

Gjatë fazës së verifikimit të gjenealiteteve, Meta deklaroi para gjykatës statusin e tij të ri civil dhe vendndodhjen aktuale: “Në Tiranë banoj për momentin. Jam banues tek 313-ta. Gjendja civile jam beqar, domethënë i divorcuar”.

Më tej, ish-presidenti ngriti një kërkesë procedurale, duke kërkuar që fashikujt e hetimit t’i vihen në dispozicion në format shkresor. Ai sqaroi se mbrojtjes i është dorëzuar materiali në rrugë elektronike, por pajisja USB nuk lejohet të përdoret në ambientet e paraburgimit ku ai ndodhet.

Në fjalën e tij, Meta akuzoi Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për mungesë objektiviteti dhe fshehje të fakteve që flasin në favor të tij. Ai shtoi se dosja e lobimit implikon marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe personalitete të politikës në SHBA, duke pretenduar se prokuroria nuk ka qenë korrekte dhe nuk i ka dhënë të drejtën të mbrohet me fakte gjatë fazës hetimore.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit