

POGRADEC – Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka marrë pjesë këtë të premte në homazhet e zhvilluara në nderim të efektivit të policisë, Enea Mekolli, i cili humbi jetën një ditë më parë në krye të detyrës. Gjatë ceremonisë, kreu i shtetit është përballur me reagimin e ashpër dhe të revoltuar të xhaxhait të viktimës, i cili hodhi akuza direkte ndaj autoriteteve për situatën e rendit dhe sigurisë në vend.
Familjari i efektivit të ndjerë iu drejtua me tone të larta Presidentit Begaj, duke pretenduar se operacioni policor u ndërmor pa masat e duhura mbrojtëse. Përgjatë bashkëbisedimit të tensionuar, ai deklaroi se krimi po dominon mbi forcën e ligjit dhe se shteti ka dështuar të mbrojë punonjësit e tij në terren.
“Bëhuni zot, e latë vendin në dorë të kriminelëve. Po sundojnë kriminelet në çdo cep të Shqipërisë. Nuk dominion policia, por dominon krimi. Na fundosët, na mbyllët derën. E dërguat atje pa marrë masa mbrojtëse”, i ka thënë xhaxhai i Enea Mekollit presidentit Begaj.
Ngjarja tragjike ku humbi jetën efekti Mekolli ndodhi në zonën e Lozhanit në Maliq. Policia kishte rrethuar zonën për të ekzekutuar një urdhërarresti ndaj shtetasit Violand Braçellari, person i shpallur në kërkim, i cili gjatë ndërhyrjes hapi zjarr ndaj forcave të rendit.
Në ceremoninë e homazheve të mbajtura në Pogradec, përveç familjarëve, morën pjesë kolegë të shumtë të uniformave blu dhe krerë të institucioneve shtetërore për të përcjellë efektivin e rënë në krye të detyrës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






