

TIRANË – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për transmetimin e drejtpërdrejtë të seancës gjyqësore. Trupi gjykues vendosi që procesi ndaj tij dhe deputetes Monika Kryemadhi të vijojë me dyer të mbyllura, duke urdhëruar largimin e operatorëve dhe fikjen e kamerave të mediave menjëherë pas nisjes së seancës.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024, në kuadër të një hetimi të Prokurorisë osaçme (SPAK). Ai dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, dyshohen për konsumim të veprave penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë. Sipas dosjes hetimore, dyshohet se gjatë 15 viteve të fundit ata kanë shfrytëzuar postet shtetërore për të favorizuar kompani private, si dhe kanë kryer kontrata lobimi të padeklaruara në SHBA dhe shitblerje fiktive banesash.
Përveç ish-presidentit Meta, i cili ndodhet në masën e sigurisë "arrest në burg", Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën "detyrim paraqitjeje" për Monika Kryemadhin dhe të hetuarën Ema Çoku. Ndërkohë, për të hetuarin Piro Xhixho, gjykata ka zëvendësuar masën nga "arrest në shtëpi" në "detyrim paraqitjeje". Të tre personat nën këtë masë shtrënguese janë të detyruar të paraqiten një herë në muaj përpara oficerëve të policisë gjyqësore në SPAK, teksa procesi gjyqësor vijon shqyrtimin e provave.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






