

TIRANË – Bordi i Transparencës ka përcaktuar tarifat e reja tavan të tregtimit të karburanteve në vend gjatë mbledhjes së tij të radhës këtë të premte. Vendimi i ri, i cili reflekton lëvizjet e tregut, do të hyjë në fuqi zyrtarisht sot, më datë 5 qershor, në orën 13:00 dhe do të mbetet i vlefshëm deri në mbledhjen e ardhshme.
Sipas njoftimit zyrtar, çmimet maksimale të shitjes me pakicë dhe shumicë janë strukturuar si më poshtë:
Gazoili (Nafta SSH EN 590): Do të tregtohet me pakicë jo më shumë se 192 lekë/litër, ndërsa për shitjen me shumicë tavani është vendosur në 180 lekë/litër.
Benzina (SSH EN): Çmimi i shitjes me pakicë nuk duhet të kalojë 172 lekë/litër, ndërsa në tregun me shumicë do të jetë jo më shumë se 160 lekë/litër.
Gazoili për peshkim: Duke aplikuar përjashtimet ligjore për taksën e qarkullimit, karbonit dhe akcizës, çmimi për këtë sektor rezulton 96 lekë/litër.
Autoritetet sqarojnë se duke qenë se çmimet e tregut aktualisht qëndrojnë nën kufijtë e përcaktuar nga Akti Normativ (i cili parashikon ulje në 80% të akcizës vetëm nëse nafta kalon 220 lekë ose benzina 200 lekë), niveli i akcizës në këtë vendim do të zbatohet i plotë në masën 100%.
Bordi u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë të zbatojnë me rigorozitet këto dritare çmimesh. Në rast të konstatimit të shkeljeve, do të aplikohet masa administrative e pezullimit të menjëhershëm të aktivitetit.
Ky monitorim vjen si një angazhim i përbashkët i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të mbrojtur konsumatorët dhe për të ruajtur konkurrencën e ndershme në treg.
Njoftimi i Plotë:
Bordi i Transparencës në datë 5 Qershor 2026, në mbledhjen e radhës vendosi: Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 192 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 180 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 172 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 160 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 5 ora 13.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.
Gazoili për peshkim – çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim, referuar Ligjit 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare”, ne nenin Neni 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, pika 6 parashikohet: …“Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit. Gjithashtu referuar nenit 10, pika 3 germa “d” te Ligjit 61/2012 “Për akcizat në RSH” parashikohet përjashtimi nga detyrimet e akcizes i karburantit për anijet e peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM. Referuar metodologjise së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazolit për peshkim rezulton 96 lekë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






