

POGRADEC – Qyteti i Pogradecit ka hapur sot dyert nën një atmosferë të rëndë zie dhe dhimbjeje për të përcjellë në banesën e fundit efektivin e Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili ra në krye të detyrës gjatë operacionit të djeshëm në fshatin Bode të Maliqit.
Homazhet zyrtare në nderim të figurës dhe sakrificës së tij kanë nisur në orën 10:00 në ambientet e Pallatit të Kulturës në Pogradec, ku qindra kolegë me lot në sy, autoritete lokale dhe qytetarë po kryejnë nderimet e fundit. Ceremonia zyrtare e përcjelljes së "Dëshmorit të Atdheut" është planifikuar të zhvillohet në orën 14:00.
Edhe pse statusi i lartë "Dëshmor i Atdheut" i mundësonte një vendprehje në Varrezat e Dëshmorëve, familja e të ndjerit ka bërë një kërkesë mjaft prekëse, duke kërkuar që ceremonia e lamtumirës dhe varrimi të bëhen në varrezat e vendlindjes së tij.
Ky vendim vjen pas një tragjedie të mëhershme që ka pllakosur këtë familje, e cila vite më parë ka humbur edhe një djalë tjetër, po ashtu efektiv policie, i cili u nda nga jeta parakohe si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Nisur nga kjo plagë e madhe, dëshira e fundit e familjarëve ka qenë që dy vëllezërit uniformëmbajtës të prehen pranë njëri-tjetrit në përjetësi.


Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






