Transmetuar më 05-06-2026, 10:58

KORÇË – Detaje të reja dhe tronditëse kanë dalë në dritë pas ngjarjes së rëndë të shënuar më 4 qershor në Maliq, ku mbeti i vrarë efektivi i forcave “Shqiponja”, Enea Meçollari, dhe u plagos polici Edison Adri. Autori i këtij krimi makabër, 43-vjeçari Violand Braçellari, rezulton të ketë përfituar fonde publike përmes Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) për ngritjen e stallave të bagëtive, pavarësisht se ishte një person në kërkim prej vitesh.

Burime pranë familjarëve të Braçellarit konfirmojnë se ai ka përfituar subvencione shtetërore në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë. Për momentin mbetet ende e paqartë nëse fondet janë aplikuar dhe përfituar drejtpërdrejt në emër të tij apo të nënës së tij, por ajo që është e sigurt ka të bëjë me faktin se paratë publike kanë shkuar në mbështetje të aktivitetit të tij ekonomik ndërkohë që ai fshihej nga drejtësia.

Kjo situatë ngre pikëpyetje të mëdha mbi filtrat e sigurisë dhe verifikimit të institucioneve shtetërore. Është ende e pashpjegueshme se si një person me rrezikshmëri mjaft të lartë shoqërore dhe me trajnim ushtarak, për kapjen e të cilit më parë ishin angazhuar edhe forcat speciale RENEA, ka arritur të kalojë procedurat e përfitimit të granteve të blegtorisë.

Operacioni blic për arrestimin e tij u finalizua një ditë më parë në një zonë të thellë malore të Maliqit, ku Braçellari fshihej pikërisht në një stan bagëtish. Gjatë shkëmbimit të ashpër të zjarrit me uniformat e zilta, humbi jetën tragjikisht dëshmori i policisë Enea Meçollari dhe u plagos kolegu i tij Edison Adri. Nga përplasja me armë, i plagosur ka mbetur edhe vetë autori 43-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën mbikëqyrje të rreptë policore.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit