Transmetuar më 05-06-2026, 07:40

Shqipëria vijon të mbetet vendi me nivelin më të lartë të privimit të rëndë material dhe social në Europë, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Eurostat për vitin 2024.

Sipas raportit, 34.8% e popullsisë shqiptare jeton në kushte të privimit të rëndë material dhe social, tregues që mat përqindjen e personave të cilët nuk janë në gjendje të përballojnë të paktën 7 nga 13 mallra, shërbime apo aktivitete që konsiderohen thelbësore për një standard jetese të përshtatshëm.

Ndër elementët e përfshirë në këtë matje janë pagesa e qirasë dhe faturave, përballimi i shpenzimeve të papritura, konsumimi i rregullt i mishit ose peshkut, mundësia për të kaluar një javë pushime larg shtëpisë, zotërimi i një automjeti, zëvendësimi i mobilieve të konsumuara, blerja e rrobave dhe këpucëve të reja, pjesëmarrja në aktivitete sociale, si dhe aksesi në internet.

Të dhënat tregojnë se hendeku mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian mbetet i thellë. Mesatarja e këtij treguesi në BE rezulton 6.3%, rreth pesë herë më e ulët se niveli i regjistruar në Shqipëri.

Shqipëria paraqitet gjithashtu në një pozicion më të pafavorshëm krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Në Maqedoninë e Veriut niveli i privimit të rëndë material dhe social është 11.6%, në Serbi 10.3%, ndërsa në Mal të Zi 12.3%. Për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën nuk janë publikuar të dhëna.

Megjithëse treguesi ka shënuar përmirësim krahasuar me vitet e mëparshme – kur në vitin 2018 arrinte në afro 46% – niveli aktual mbetet dukshëm më i lartë se në vendet e tjera europiane.

Në shkallë të Bashkimit Europian, numri i personave që jetojnë në kushte të privimit të rëndë material dhe social ka rënë nga rreth 41 milionë në vitin 2015 në 27.5 milionë në vitin 2024.

Pas Shqipërisë, nivelet më të larta të këtij treguesi në Europë regjistrohen në Rumani me 16.8%, Bullgari me 15% dhe Greqi me 14.9%. Në anën tjetër, nivelet më të ulëta raportohen në Poloni me 2%, Holandë me 2.6%, Çeki me 2.6% dhe Austri me 2.9%.

Sipas metodologjisë së Eurostat, privimi i rëndë material dhe social pasqyron mungesën e detyruar të elementeve bazë që konsiderohen të domosdoshme për një jetë dinjitoze, duke ofruar një panoramë të qartë mbi mirëqenien reale të qytetarëve përtej të ardhurave nominale.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit