

Italia ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të energjisë bërthamore, pasi Dhoma e Deputetëve ka miratuar ligjin kuadër që i hap rrugë zhvillimit të sektorit bërthamor civil në vend.
Projektligji u miratua me 155 vota pro dhe 86 kundër, ndërsa tashmë pritet të kalojë për shqyrtim dhe votim përfundimtar në Senat. Pas miratimit në të dyja dhomat e Parlamentit, qeveria italiane do të ketë kompetenca të zgjeruara për hartimin e rregullave që lidhen me prodhimin e energjisë bërthamore, kërkimin shkencor dhe menaxhimin e mbetjeve radioaktive.
Ministri i Mjedisit dhe Sigurisë Energjetike, Gilberto Pichetto Fratin, bëri të ditur se dekretet zbatuese të kësaj kornize ligjore pritet të përgatiten deri në fund të vitit. Sipas tij, reaktorët e parë bërthamorë në Itali mund të hyjnë në funksion gjatë viteve 2034–2035.
Fratin theksoi se objektivi kryesor i këtij projekti është forcimi i sigurisë energjetike të vendit dhe garantimi i furnizimit të qëndrueshëm me energji për dekadat e ardhshme.
Ai sqaroi gjithashtu se iniciativa lidhet ekskluzivisht me përdorimin civil të energjisë bërthamore dhe nuk ka asnjë lidhje me programe apo qëllime ushtarake.
Sipas autoriteteve italiane, kërkesa për energji elektrike pritet të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme, e nxitur nga zgjerimi i aktivitetit industrial dhe zhvillimi i qendrave të të dhënave. Për këtë arsye, Italia synon të ndërtojë një strategji të integruar energjetike, duke kombinuar energjinë bërthamore me burimet e rinovueshme dhe hidrogjenin, në funksion të përmbushjes së nevojave të ardhshme të vendit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






