Transmetuar më 05-06-2026, 00:27

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pak orë pasi media raportoi se polici i vrarë ishte efektiv i repartit Shqiponja dhe se në Korçë nuk shkoi asnjë forcë speciale për të kapur personin e kërkuar, doli në publik dhe shprehu habinë e tij për këtë fakt.

"Në lidhje me këtë ngjarje shumë të rëndë, kam urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të nisur një hetim mbi zbatimin e procedurave standarde të punës për kapjen e shtetasit në kërkim, dhe pse Drejtoria Vendore e Policisë Korçë nuk ka kërkuar ndihmë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të vënë në dispozicion Forcat Kombëtare të Sigurisë ose Repartin Special RENEA për të mundësuar kapjen e këtij personi".

Kështu Hita konfirmoi atë që u raportua më herët se në operacionin delikat nuk morën pjesë forcat speciale, por këtë, ai ia faturoi kreut të policisë së Korçës duke larguar përgjegjësinë nga ai dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit që ai drejton.

Çfarë tha zyrtarisht policia e Shtetit mbi ngjarjen

Mëngjesin e sotëm, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë, kanë shkuar në zonën e Lozhanit, në Malin Bode, Bashkia Maliq, për kapjen e këtij shtetasi.

Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar stanin ku dyshohej se fshihej shtetasi në kërkim, konkretisht Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011, i është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit, të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë, dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë. Si pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, Inspektor Enea Mekolli, 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur, punonjësi i Policisë, Inspektor Edison Adri, 36 vjeç, të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë.

Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.

Për kapjen e shtetasit Violand Braçellari, gjatë viteve të fundit, ishin organizuar disa operacione policore, nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, me përfshirjen dhe të forcave speciale, por nuk kishin mundur të realizonin kapjen e tij.

Në lidhje me këtë ngjarje shumë të rëndë, kam urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të nisur një hetim mbi zbatimin e procedurave standarde të punës për kapjen e shtetasit në kërkim, dhe pse Drejtoria Vendore e Policisë Korçë nuk ka kërkuar ndihmë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të vënë në dispozicion Forcat Kombëtare të Sigurisë ose Repartin Special RENEA për të mundësuar kapjen e këtij personi.

Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë, ku humbi jetën, në krye të detyrës, një punonjës policie, dhe mbeti i plagosur një tjetër punonjës policie.

Çfarë tha më herët policia e Korçës 

Humbet jetën në krye të detyrës, 1 punonjës policie, si dhe plagoset një tjetër punonjës policie, nga sulmi me armë zjarri nga një person i kërkuar i cili u neutralizua dhe u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit gjatë një operacioni për kapjen e tij.

Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një personi të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Komisariatit të Policisë Maliq dhe të Komisariatit të Policisë Korçë, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia Maliq.

Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor E. M., 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor E. A., 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë).

Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.

Në drejtim të vendit të ngjarjes është nisur helikopteri i shëndetësisë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë, ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës Policie dhe mbeti i plagosur një tjetër punonjës i Policisë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit