

Tiranë, 4 qershor 2026 – Biznesmeni Artur Shehu ka reaguar publikisht për çështjen e pronave në Zvërnec dhe hetimet e nisura nga SPAK lidhur me transaksionet e planifikuara me investitorë të interesuar për zonën.
Në një intervistë televizive, Shehu deklaroi se familja e tij zotëron prej dekadash sipërfaqe të konsiderueshme toke në Zvërnec dhe se pronësia mbi këto pasuri është e dokumentuar ligjërisht.
“Unë jam një nga pronarët e tokës në Zvërnec. Rreth 460 hektarë janë të fisit tonë dhe kemi certifikata pronësie për afro 253 hektarë. Është një pronë e trashëguar dhe jo e blerë”, u shpreh ai.
Lidhur me hetimet e SPAK, Shehu tha se nuk ka asnjë shqetësim nga verifikimet e institucionit dhe se është i gatshëm të paraqesë çdo dokumentacion të nevojshëm.
“SPAK-u ka punën e vet. Le të verifikojë gjithçka. Detyra ime është të paraqes dokumentet dhe të faktoj pronësinë”, deklaroi ai.
Biznesmeni mohoi gjithashtu zërat për një takim të zhvilluar në Aruba me përfaqësues politikë apo investitorë, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
“Takim në Aruba? Absolutisht jo. Nuk ka asnjë lidhje me ministra apo kryeministra. Kjo është komplet ‘fake news’”, tha Shehu.
Ai shtoi se nuk ka kontakte të drejtpërdrejta me investitorët e interesuar për projektin në Zvërnec, duke sqaruar se komunikimet janë kryer përmes ndërmjetësve ligjorë.
Gjatë intervistës, Shehu deklaroi se prej 29 vitesh jeton jashtë Shqipërisë dhe se ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me status azili politik.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






