

Tiranë, 4 qershor 2026 – Një i dënuar 47-vjeçar është gjetur i pajetë këtë të enjte në ambientet e Qendrës Spitalore të Burgjeve, ku po trajtohej për probleme të shëndetit mendor.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi Fatmir Qoku ishte dënuar me 25 vite burgim me vendim të formës së prerë në vitin 2007 për veprën penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”. Autoritetet bëjnë me dije se ai vuante nga skizofrenia dhe ndiqej vazhdimisht nga shërbimet shëndetësore të sistemit penitenciar.
Gjatë periudhës 2022–2026, i dënuari ishte shtruar disa herë në Spitalin e Burgjeve, ndërsa shtrimi i fundit ishte më 28 maj 2026.
Sipas të dhënave paraprake, rreth orës 16:50 ai është konstatuar pa shenja jete në ambientet e tualetit të dhomës së akomodimit. Dyshimet e para flasin për vetëvarje me një mjet të improvizuar.
Menjëherë pas ngjarjes, personeli i sigurisë dhe ai mjekësor ka ndërhyrë, por verifikimet paraprake kanë konfirmuar se vdekja kishte ndodhur më herët.
Agjencia e Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në bashkëpunim me prokurorinë, ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të rastit. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shprehur ngushëllime për familjarët dhe ka garantuar bashkëpunim me institucionet përkatëse.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






