

Tiranë, 4 qershor 2026 – Reperi Arkimed Lushaj, i njohur me emrin artistik Stresi, ka folur për angazhimin e tij të ri politik si anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, duke deklaruar se prioriteti i tij është përfshirja e të rinjve në jetën politike.
Në një intervistë televizive, Stresi u shpreh se aktivizimi i tij në strukturat e PD-së ka ardhur si iniciativë personale dhe se prej zgjedhjes në Këshillin Kombëtar ka nisur takime me mbështetës dhe të rinj që dëshiron t’i afrojë pranë partisë.
“Vij me strategji. Familja ime ka qenë e lidhur me Partinë Demokratike që nga viti 1991 dhe edhe unë jam angazhuar që në moshë të vogël”, deklaroi ai.
Reperi tha se viziton rregullisht selinë e PD-së dhe se synon të jetë një zë për të rinjtë, ndërsa shprehu dëshirën për të zhvilluar një takim me kryetarin e partisë, Sali Berisha.
Gjatë intervistës, Stresi komentoi edhe marrëdhënien me reperin Noizy, duke treguar se pavarësisht bindjeve të ndryshme politike, raporti mes tyre mbetet miqësor. Sipas tij, të dy kanë bërë edhe humor lidhur me rezultatet zgjedhore.
Ai foli gjithashtu për mundësinë e një angazhimi më të madh politik në të ardhmen, duke lënë të kuptohet se nuk përjashton një rol më aktiv në institucionet përfaqësuese.
Në pjesën personale të intervistës, Stresi tha se aktualisht është beqar dhe se partneren e ardhshme do ta preferonte të ishte e angazhuar në politikë.
“Jam single. Nusen e ardhshme e dua politikane dhe serioze”, u shpreh ai.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






